Ylli i Paris Seint Zhermen, Kilian Mbape do të jetë gati për të luajtur të mërkurën në sfidën ndaj Liverpulit në Champions League. Sulmuesi 19-vjeçar duket se e ka kaluar problemin në shpatull, të pësuar në miqësoren ndërmjet Francës dhe Uruguajit gjatë mesjavës së kaluar.
Mbape qëndroi pushim të shtunën, në përballjen e kampionatit me Tuluzën, ndërsa sipas “L’Equipe”, këto ditë i shërbejnë talentit të PSG-së, që të jetë gati për duelin e mesjavës. Gazeta fraceze zbuloi se “sulmuesi nuk është në dyshim” për ndeshjen vendimtare në kompeticionin më të rëndësishëm kontinental.
Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur, Liverpuli ka një pikë më tepër se Paris Seint Zhermen, ndërsa në ndeshjen tjetër të grupit, Napoli do të luajë me Crvena Zvezdën. Në sfidën që do të luhet në “Parc des Princes”, fitorja do ti siguronte secilës prej skuadrave kualifikimin në turin tjetër të Champions League.
Mbape shënoi në ndeshjen e parë në “Anfielld”, ku Liverpuli fitoi 3-2 në kohën shtesë. Edhe në këtë takim, talenti francez pritet të jetë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të kampionëve të Francës, me sulmuesin që deri më tani ka realizuar 15 gola në vetëm 18 ndeshje, me klubin dhe përfaqësuesen.