Nga Klaudio Ndreca
Kryefjala e vëmendjes mediatike në ditën e djeshme ka qenë një transferim i mundshëm i Lionel Mesit te Interi. Një histori kjo e cila nuk ka dalë për herë të parë, por për faktin se babai i yllit argjentinas dhe njëkohësisht menaxheri i tij kishte blerë shtëpi në Milano, u mendua për një lëvizje të tillë.
Nëse do të ndodhte ky transferim, atëherë Mesi vazhdonte rivalitetin e tij me Kristiano Ronaldon, që aktualisht është pjesë e Juventusit. Ndërkohë nga ana tjetër mund t’i jepeshin fund edhe dilemave sesa mund të jepte argjentinasi nëse do të ndërronte skuadrën.
E për t’u kthyer në realitet, një lëvizje të tillë e ka mohuar vetë drejtori sportiv i zikaltërve, Marota. Përpara ndeshjes me Xhenoan, në intervistën e dhënë për “Sky Sport” do të fliste edhe për çështjen e re që ka lindur: “Leo Mesi te Interi? Jemi duke folur për fantazitë e futbollit. Nuk është absolutisht një qëllim i yni. Mendoj se ne këtë moment Mesi do ta mbyllë përfundimisht karrierën te Barcelona”, u shpreh Marota. /Sport Ekspres/