Lika: Ende shohim pas në renditje. Abazaj e Bregu janë profesionistë

0

Trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, ka mbetur mjaft i kënaqur nga fitorja kundër Skënderbeut, por kërkon kujdes të madh, duke theksuar se asnjë fitore nuk ka qenë e lehtë dhe renditja nuk është ende perfekte.

“Kemi një skuadër shumë të mirë, jo vetëm në mesfushë e sulm. Ramadani dhe gjithë të tjerët bëjnë një punë të shkëlqyer, jam shumë i kënaqur. Kemi pasur rritje në lojë, nga ndeshja në ndeshje, por fitoret që kemi arritur nuk kanë qenë të lehta. Kundërshtari edhe sot na rrezikoi disa herë, në lojë e raste, por nuk kemi pësuar gol dhe pastaj kemi shënuar ne, duke fituar ndeshjet. Në këto momente duhet të përqendrohemi akoma më tepër dhe objektivi i parë është kalimi i zonës së ftohtë, sepse jemi ende shumë pranë fundit dhe me lojërat e mira që po luajmë të marrim rezultate të tjera për t’u stabilizuar në renditje.

“Lojtarët debutues luajtën deri diku mirë, janë përshtatur me skuadrën. Diçka më mirë Jakovljeviç, i cili është përshtatur në kampionatin tonë, ndërsa Shkurtaj pati edhe probleme fizike në fund, sepse punoi shumë dhe u kombinua mirë me sulmuesit e tjerë.

“Abazaj e Bregu? Nuk merrem me thashetheme, nuk kemi pse u japim rëndësi fjalëve që qarkullojnë se mund të mos jepnin gjithçka. Ata të dy janë profesionistë, dhanë gjithçka, si gjithë skuadra, jemi shumë të kënaqur”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.