Kapiteni premton fitore, por paralajmëron: “Kujdes Flamurtarin sepse luan më mirë jashtë se sa brenda fushës së tij”
Gaspër Marku
Pa kaluar tre ditë nga emocionet që na dhuroi ballafaqimi mes Shqipërisë dhe Italisë për eliminatoret e botërorit “Rusi 2018”, mesdita e sotme e rikthen vëmendjen sërishmi në “Loro Boriçi”, por tashmë me emocionet e Superligës së futbollit shqiptar. Ora 14.00 vë përballë njëra-tjetrës Vllazninë vendase dhe Flamurtarin mysafir, takim ky i vlefshëm për javën e pestë të Superiores. Një takim, që përpos të tjerave tërheq vëmendjen se në të dy kampet respektive ka një tip “urdhri” për të mos dalë pa fitore në këtë ndeshje.
OPTIMIZMI I KAPITENIT – Kapiteni Gilman Lika ishte personazhi i radhës nga kuqeblutë që ishte ngarkuar për të komunikuar me gazetarët sportivë. Ashtu si edhe në tek të gjithë pjesëtarët e tjerë të skuadrës, edhe te kapiteni, dukej qartë se ka një optimizëm të dukshëm për marrjen e një rezultati pozitiv në këtë ndeshje. “Të them të drejtën periudha e pushimit prej dhjetë ditësh na ka ndihmuar, pasi kemi punuar me seanca shtesë stërvitore. Dihet, që jo gjithë lojtarët janë në 100 përqindëshin e vet të formës fizike. Mendoj se ka qenë shumë pozitive për ekipin ky dhjetëditësh. Normalisht që jemi përgatitur seriozisht, pasi dihet tashmë, hapi i gabuar që kemi bërë në ndeshjen e fundit dhe prandaj na duhet të marrim maksimumin në këtë ndeshje”, shprehet Lika që vazhdon. – “Sidomos për ndeshjet brenda nuk duhet t’i vëmë më në diskutim fitoret. Ndaj edhe në këtë ndeshje na duhet ta marrim patjetër fitoren, nuk kemi rrugë tjetër. Sigurisht që për t’ia plotësuar edhe qejfin tifozëve, por edhe për veten tonë, sepse na ndihmon shumë për vazhdimësinë. Një tre pikësh në këtë ndeshje, besoj se do t’i kishte dhënë qetësinë shumë të madhe ekipit. Por dihet që është ndeshje shumë e vështirë, pasi në javët e para të kampionatit Flamurtari ka treguar se është një ekip dinjitoz dhe besoj se do të jetë shumë e vështirë, por ne duhet të bëjmë maksimumin. Nuk kemi rrugë tjetër”, thotë Lika
LUHATJETE – I pyetur për luhatjet që ka pasur skuadra kuqeblu në katër javët e para të kampionatit, Lika është i mendimit se ka edhe arsye objektive në këtë mes. “Katër javë jo shumë të mira? Po është e vërtetë! Mendoj se ekipi do pak kohë. Kanë ardhur shumë lojtarë, edhe ata lojtarë që kanë ardhur, kanë qenë bazë dhe kanë luajtur në formacion më përpara dhe normal që kjo lëvizje ndikon te një ekip. Ndoshta ka ndikuar pak edhe forma fizike, por siç e kam thënë edhe më përpara jam shumë optimist për të ardhmen”, sqaron Lika.
NGJESHJA – Ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares shqiptare ka ndikuar në ngjeshjen e javëve me një kalendar që brenda 10-12 ditësh do të luhen katër ndeshje. “Është shumë e vërtetë, që kalendari është shumë i ngjeshur, pasi janë shumë ndeshje për një kohë shumë të shkurtër, por besoj se jemi përgatitur për të dhënë maksimumin. Kalendari ofron çdo ndeshje njërën më të vështirë se tjetra”, shton ai.
FLAMURTARI – I pyetur direkt për rezultatin, Gilman Lika thotë se pavarësisht se përballë kujt luan, gjithmonë Vllaznia kërkon tre pikët dhe asnjëherë barazimin. “Dëshira e ime është që të marrim maksimumin në çdo ndeshje. As që bëhet fjalë për rezultat tjetër, pavarësisht se kundër kujt ekipi luaj. Nuk e imagjinoj që të futem në ndonjë ndeshje, duke menduar për barazimin. Shpresoj dhe jam i bindur që edhe ekipi e ka këtë mentalitet, pasi në çdo ndeshje ne duhet të futemi ta fitojmë”, citon kapiteni kuqeblu, që vazhdon të analizojë Flamurtarin dhe lojën e tij në transfertë. – “Normal që është një plus më tepër. Unë e kam diskutuar edhe me shokët e ekipit. Ata, mendoj unë, duke e parë dhe ditur që kam luajtur në Vlorë, mendoj se kanë një armë të fortë që më mirë luajnë ndeshjet jashtë se sa brenda”, shprehet Lika. I pyetur për Ditmar Bicajn, që do të jetë në fushë me Flamurtarin si ish-kuqeblu, ai thotë: ”Kështu është futbolli. Një lojtar që ishte vjet te Vllaznia, mund të jetë te Flamurtari, apo diku tjetër. Nuk do të merremi tashmë me emra të veçantë. Normal që çdo lojtar që është pjesë e Flamurtarit duhet vlerësuar maksimalisht”, tha mesfushori.
RROGAT – Gjatë ditëve të fundit futbollistët kanë marrë edhe dy rrogat e prapambetura, ato të muajit maj dhe gusht, për të cilat Lika thotë se është një plus në aspektin moralo-psikologjik. “Normal që ana financiare është e rëndësishme te çdo ekip. Mendoj se është diçka pozitive, që skuadra dhe lojtarët janë më të mbushur moralisht. Çdo njeri kur merr pagën që i takon, normal është më i qetë dhe është më i përqendruar te stërvitja dhe ndeshja”, nënvizon Lika.
“VLLAZNIT ULTRAS” – Një problem më vete gjatë ndeshjeve të këtij kampionati ka qenë mungesa e grupimit të tifozëve “Vllaznit Ultras”, për të cilët Lika kërkon nga ana e drejtuesve të klubit të gjendet një gjuhë e përbashkët me ta, sepse skuadra ka nevojë për ta, t’i ketë në shkallët e stadiumit. “Unë, në fakt, kam dashur me kohë të flas për këtë gjë, pasi dihet problemi që ata kanë në raport me klubin. E kam fjalën për grupimin, “Vllaznit Ultras”, që nuk vijnë në stadium. Kjo është diçka shumë, shumë problematike për ne. Luajmë në shtëpinë tonë dhe na duke vetja sikur jemi duke luajtur jashtë. Vijnë ekipet në fushën tonë dhe nuk e ndiejnë presionin e tifozëve. Nuk e di! U bëj thirrje drejtuesve tanë, që ta gjejnë një zgjidhje sa më parë që ato duhet të jenë patjetër në stadium, gjithmonë, për të mirën e skuadrës”, përfundon Lika.