Lihtenshtejni modest ka zbarkuar sot në Tiranë dhe ka vendosur të kryejë në kryeqytet si konferencën për shtyp, ashtu edhe stërvitjen e fundit në “Selman Stërmasi”, duke preferuar të mos e provojë fare fushën e “Elbasan Arenës”, ndryshe nga rutina në ndeshje të tilla.
Trajneri i Lihtenshtejnit, Rene Pauriç, ka folur për sfidën e nesërme, duke pranuar se skuadra e tij ka një mision mjaft të vështië: “Do të provojmë të marrim një rezultat të kënaqshëm. E dimë që kemi një detyrë shumë të vështirë përballë ekipit shqiptar, që ka lojtarë mjaft cilësorë, ndërsa trajneri i ri dëshiron rezultat maksimal. E kemi të qartë përgatitjen e ekipit shqiptar nga ana individuale dhe taktike. Shumë prej lojtarëve luajnë në Itali apo edhe në liga të tjera të mëdha dhe na pret një ndeshje të fortë”.
I pyetur në lidhje me karakteristikat e lojës së Shqipërisë, Pauriç përgjigjet: “Kemi luajtur përballë të gjitha skuadrave dhe i njohim të gjitha çfarë karakteristikash kanë. Italia ka skuadër të shpejt, teknike dhe taktike, ndërsa spanjollët luajnë me topa të shkurtër. Në këtë aspekt, Shqipëria është një përzierje e këtyre dy skuadrave”.
Trajneri i Lihtenshtejnit nuk e fsheh që mungesa e Sadikut nesër është një lajm i mirë për të tijtë, që janë pa sulmuesin Buhel dhe mesfushorin Polverino, dy titullarë shumë të rëndësishëm: “Ia njohim vlerat Sadikut, ka luajtur te Vaduzi dhe nëse ai do të kishte qëndruar, klubi nuk do të binte një kategori më poshtë. Mungesa e tij mund të ketë ndikim në rezultat”.
Pauriç ka konsideruar problem madhor për të tijtë edhe të nxehtin: “Kur dolëm nga avioni, një valë të nxehti na goditi fytyrën, aq sa dëshironim të ktheheshim sërish brenda. Do të jetë një ndeshje e vështirë edhe për këtë arsye”.