Kosova dhe Shqipëria kanë planifikuar të bashkojnë forcat në sport, teksa ideja e krijimit të një lige të përbashkët basketbolli sa vjen e bëhet më e prekshme. Një plan i tillë është konfirmuar në parim nga krerët e të dy Federatave, ndërsa pritet miratimi nga FIBA dhe gjithçka do të jetë gati të zbatohet në vjeshtë. Por diçka e tillë ka vendosur në alarm Serbinë, që nuk e ka pritur mirë një lajm të tillë. Për ta një ligë e përbashkët është një skandal dhe të shohin bashkë shqiptarët si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri është gjëja e fundit që dëshirojnë .
Titujt e disa prej mediave serbe flasin qartë në lidhje me shqetësimin e tyre mbi këtë projekt mbarëkombëtar të shqiptarëve. “Skandal i ri në horizont: Prishtina dhe Tirana po përgatiten për të bashkuar ligat e basketbollit”, është titulli i medias “Vecerenje Novosti”, e cila ndiqet edhe nga artikujt e portaleve të tjera si “Srbija Danas” apo “alo.rs”. “Skandal! Shteti i rremë i Kosovës po bën një ligë të përbashkët me Shqipërinë”, hapin shkrimin këta të fundit, ndërsa “Srbija Danas” e nis gjithçka me fjalët: “Liga e Shqipërisë së madhe që në vjeshtë. Marrëveshje e turpshme e Prishtinës dhe Tiranës, kjo është e papranueshme”, duke shkuar më larg e duke u trembur nga ky bashkim i Kosovës dhe Shqipërisë në sport./Halit Delibashi-Sport Ekspres/