Vllaznia ka një mision të vështirë këtë edicion, për t’u kthyer në elitën e futbollit shqiptar. Pas 14 javësh skuadra shkodrane i ka bërë gjërat mirë, edhe pse gara nuk është aspak e lehtë. Kuqeblutë e dinë se i pret dhe një gjysmë kampionati mjaft i vështirë, por në Shkodër nuk do ua falin nëse nuk arrijnë që të luajnë në Superiore edicionin e ardhshëm.
Administratori i klubit, Suad Lici ka folur për “RTSH Sport” ku ka komentuar situatën dhe ecurinë e skuadrës deri më tani. Në të njëjtën kohë Lici ka treguar edhe arsyen se pse drejtuesit po shohin në tregun afrikan, edhe pse kuqeblutë kanë një prej akademive më të mëdha në vend.
“Në aspektin sportiv, sa i përket kësaj periudhë, skuadra ka qenë aty ku duhet. Djemtë kanë qenë të përkushtuar. Nëse kthehemi te fillimet tona nuk ka qenë aspak e lehet. Skuadra ka qenë e rënë moralisht. Natyrisht që pas masave drastike që morëm, edhe me kontratat si administratë, trysnia dhe indinjata që kishte qyteti për atë që kishte ndodhur nuk ishte aspak pozitive. Dua të falënderoj këto djem për kontributin që kanë dhënë për atë që këto 5 muaj kemi bashkëpunuar së bashku”.
“Do të kemi dhe disa projekte të tjera, por për momentin nuk mund t’i bëj të ditura ,deri sa të finalizohen. Do të kemi diçka konkrete në muajit në vazhdim. Nuk e kuptoj këtë zhurmë që është bërë, por secili është në të drejtën e tij. Ne e kemi strategjinë e qartë, nuk duam që të fyejmë lojtarët e Akademisë së Vllaznisë apo të akademive këtu pranë Shkodrës, por duam që të kemi produkt cilësor, pasi e shohim se direkt nga Akademia nuk mund të na përfaqësojnë dot. Ne kemi menduar që të bëjmë një Vllaznia B sa më të fortë dhe lojtarët të kenë mundësi të shprehen te Vllaznia B, për më të mirën e tyre që ne t’i kemi në fokus”.