Lejdi Liçaj kthehet në shtëpinë e tij të dytë, sepse sot ka firmosur dhe është prezantuar te Luftëtari, duke lënë sërish Flamurtarin, ku luajti në pjesën e parë të sezonit dhe shënoi golin më të bukur të kampionatit aktual. Anësori vlonjat, i aftë të luajë pa problem në mbrojtje dhe në mesfushë, ka shkëlqyer në Gjirokastër, por verën e shkuar shprehu dëshirën të kthehej në vendlindje dhe Sinan Idrizi ia plotësoi.
Sot është prezantuar edhe mesfushori Kristo Minga, i cili gjithashtu kthehet në shtëpi, sepse është nga Gjirokastra, edhe pse ka luajtur për shumë vite në Greqi, duke shkëlqyer edhe në Superligë, me Panthrakikosin, Apollon Smirnis, Kallonin dhe Levadhjakosin. Sezonin e shkuar Minga luajti shumë pak, ndaj tashmë ka vendosur të pranojë ofertën e Luftëtarit.
Në fund, një përforcim surprizë, sepse ka firmosur vëllai i Vasil Shkurtajt, Adnandi, vetëm 20 vjeç, i cili ka qenë pjesë e të rinjve të Plataniasit në Greqi.