Klubet e Superiores kanë rënë dakord mes tyre për krijimin e Ligës Profesioniste, ndërsa Edvin Libohova komenton këtë nismë të marrë. Presidenti i Ligës ka folur rreth kësaj tematike. Hapi i parë do të jetë regjistrimi i saj në gjykatë, ndërsa në sezonin e ardhshëm Liga do të jetë ngritur dhe funksionale.
President, komenti i parë pas këtij hapi të rëndësishëm?
Nuk ka ndonjë gjë sekrete apo shumë të vështirë. Prej kohësh kemi diskutuar me ekipet e Superligës, për të krijuar Ligën Profesioniste. Qëllimi i saj është që brenda këtij grupimi të gjejmë rregulla dhe forma organizimi, që të ndihmojnë më shumë garën, por edhe për të rritur të ardhurat financiare të klubeve. Dihet që në radhë të parë pa një financë të fuqishme futbolli nuk mund të ecë para. Kemi dakordësuar të gjitha problemet që kishin me statutin dhe shumë shpejt do të fillojmë të rregullojmë marrëdhënien me Federatën për sa i përket të gjithë kuadrit rregullativ, sepse dihet që Liga pas krijimit të saj do të jetë anëtare e FSHF-së, siç janë të gjithë anëtarët e tjerë. Qëllimi kryesor është industrializimi i procesit dhe tani fillon puna reale, siç janë një sërë fazash që duhen ndjekur për të arritur aty ku ne mendojmë.
Mendoni se klubet kanë financat e mjaftueshëm për këtë organizim?
Është e vërtetë që një pjesë e klubeve kanë probleme dhe do të jetë një nga prioritetet që Liga do të ketë për të sistemuar financat e klubeve, por dhe për të gjetur rrugë se si të jenë më efektive dhe jo thjeshtë për të luajtur futboll, por edhe të luash futboll në kushte sa më të mira.
Sa e vështirë ishte dakordësimi?
Më tepër kanë qenë diskutime lidhur me dakordësinë në statutit, pasi ka dy këndvështrime. Liga do të jetë krejtësisht e pavarur, apo do të jetë një element apo një institucion brenda FSHF-së. Do të jetë si anëtarët e tjerë, por me një organizim ndryshe, duke gjetur dhe gjuhën për të zbatuar dhe kuadrin legjislativ sportiv që kemi ne, por dhe kriteret që ka FIFA dhe UEFA për organizimit që ka për të tilla formate.
Cili do të jetë hapi i radhës?
Hapi i parë do të jetë regjistrimi në gjykatë, por që është punë ditësh, pasi u arrit dakordësia.
Do të ketë ndryshime sa i përket kritereve për skuadrat pjesëmarrëse në Supeirore?
Janë ato që ka vendosur FSHF, nuk ka ndryshime. Nga pikëpamja e statutit çdo klub i Superligës humbet të drejtën e pjesëmarrjes në Ligë, sapo del nga Superiorja dhe e kundërta, çdo klub që ngjitet bëhet pjesë e Ligës. Nëse një klub hyn në Superligë dhe nuk pranon të jetë anëtar i Ligës, mund të vazhdojë, por pa përfitimet që vijnë nga Liga dhe kjo nuk u leverdis.
Çfarë mund të na thoni për pozicionin tuaj?
Është kompetencë e asamblesë së Federatës, sepse do bëhen ndryshime në statut që kryetari i Ligës do jetë automatikisht pjesë e KE-së. Të tjerat do diskutohen më tej.
Do jetë gati Liga për sezonin e ri?
Patjetër që gjithçka pritet të jetë gati për sezonin e ardhshëm, Liga do të jetë ngritur.
Çfarë do të ndodhë me të drejtën televizive?
Menaxhim 100% vetë. Kontrata aktuale nuk mund të ndërpritet, por ka edhe burime të tjera dhe do të ketë negociata.
Do të ketë ndikim te financat e klubeve ky ndryshim i madh që po ndodh?
Në vitin e parë mos prisni çudira. Ne do të kërkojmë forma të tjera, duke nisur nga emri i Superligës, që mund të krijojë të ardhura të mëdha nga sponsori që do të blejë të drejtën e emrit. Nuk mund të jap shuma për klubet, por synojmë që me kalimin e viteve të ardhurat të rriten.