Shqipëria do të përballet mbrëmjen e nesërme, duke nisur nga ora 20:45, me Poloninë. Në prag të këtij takimi, që do të zhvillohet në “Air Albania”, Silvinjo është paraqitur në konferencën për shtyp për t’ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Trajneri i Kombëtares shqiptare ka vlerësuar Poloninë, porn nga ana tjetër ua bën të qartë polakëve se përballë do të kenë lojtarë po aq të fortë sa ata. Silvinjo është i kënaqur me grupin që ka në dispozicion, teksa shprehet se ka në përbërje futbollistë mjaft të mirë teknikisht, të aftë për të bërë diferencën.
“Ndeshja e nesërme nuk do të ketë diçka ndryshe për ne. Kur erdha thashë që doja të shikoja një skuadër që jep zemrën dhe shpirtin në fushë. Do të kemi një stadium plot nesër. Është sfidë e vështirë, por me mbështetjen e popullit shqiptar në 90 minuta do të bëjmë diçka të mirë. Lojtarët përgatiten gjithmonë për fitore, por përballë kemi një kundërshtar që ka objektivat e veta. Nëse nuk fitojmë, të paktën të mos humbim. Normalisht që Polonia është një skuadër ndryshe nga Çekia. Jemi në gjysmë të rrugës dhe kemi edhe 4 finale. Më vjen mirë që Shqipëria ka lojtarë mjaft të fortë.
Që para të fillonin ndeshjet e kam thënë se do të ishte një grup mjaft i vështirë. Por ka shumë punë për të bërë më përpara. Kanë ndodhur rezultate që nuk i prisnim. Ka qenë një ndeshje e vështirë, por askush nuk të bën dhurata. Muçi është një lojtar shumë i fortë. Kundër Ishujve Faroe hyri në fushë dhe vendosi ndeshjen. Por në atë pozicion kemi edhe Bajramin, që po bën mjaft mirë.
Do ketë momente që ne duhet të bëjmë presion dhe do të ketë momente kur do të tërhiqemi mbrapa. Është një ndeshje që do të ketë gjithçka. Ajo që mua më pëlqen ta vlerësoj më shumë është pjesa teknike. Ne kemi lojtarë shumë të mirë teknikisht dhe mendoj që këta lojtarë mund të bëjnë diferencën.
Levandovski ka një histori të madhe pas tij dhe ne e respektojmë. Është një lojtar i rëndësishëm, por Polonia ka shumë lojtarë të tjerë po aq të mirë sa ai. Por Polonia duhet ta ketë të qartë se do të kenë përballë lojtarë po aq të mirë, sepse ne kemi lojtarë mjaft teknikë që mund të bëjnë diferencën. Dihet që Polonia ka një ekip të mirë, një trajner me mjaft eksperiencë dhe një histori të madhe. Historia është pika e fortë e Polonisë”, ka deklaruar Silvinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/