Robert Levandovski dëshiron të largohet nga Bajerni i Mynihut, sipas agjentit të tij Pini Zahavi, i cili ka folur për revistën gjermane Sport Bild, duke shpjeguar se shënuesi më i mirë i Bundesligës “ka nevojë për një ndryshim dhe një sfidë të re në karrierë”.
Zahavi, agjenti izraelit i cili ndërmjetësoi për kalimin e Nejmarit te PSG verën e shkuar, tha se arsyet e Levandovskit “nuk lidhen me paratë apo një klub të veçantë, pasi thuajse gjithë klubet e mëdhenj do e donin në ekip”.
Polaku 29-vjeçar, i cili ka kontratë me Bajernin deri në vitin 2021, ka shënuar 106 gola në 126 ndeshje Bundeslige, që kur kaloi nga Dortmundi te Bajerni në vitin 2014. Sezonin e fundit ai shënoi 29 gola dhe ka dhënë një kontribut të madh për dominimin në Gjermani, por ishte inekzistent në Champions League këtë sezon dhe kjo ka bërë që edhe interesi i përfolur i Real Madridit të jetë ftohur.
BAJERNI – Presidenti i Bajernit, Karl-Hainc Rumenige, kohët e fundit e përjashtoi në mënyrë kategorike shitjen e Levas: “E dimë që është një sulmues i nivelit të lartë. Askush të mos shqetësohet, ai do të vijojë të luajë për Bajernin edhe sezonin e ardhshëm”. Gjithsesi, duket një deklaratë sa për fasadë, për disa arsye. Së pari, nëse futbollisti kërkon largimin, Bajernit nuk i leverdis të nisë luftën dhe ta mbajë lojtarin kundër dëshirës së tij, duke e ditur që është lojtar kyç në ekip dhe do të krijoheshin shumë probleme, me rendimentin dhe atmosferën në skuadër. Së dyti, Levandovski është në një moshë ku çmimi i tij do të nisë të pësojë rënie konstante, ndaj nëse nuk shitet tani, pas një viti do të vlejë më pas se 50 milionë euro.
OFERTAT – Ndonëse Zahavi e eklamon Levandovskin si yllin që e do çdo klub i madh, e vërteta është paksa ndryshe. Barcelona nuk ka nevojë për të, Reali nuk e sheh me sy të mirë për shkak të kostos dhe të rendimentit të sulmuesit në Champions. Mançester Siti është i kompletuar në sulm, ashtu si Mançester Junajtid. Po ashtu, Liverpuli nuk ka nevojë për Levandovskin, që do të thotë se në këtë moment vetëm Çelsi është klubi që mund ta blejë. Natyrisht, është edhe “gogoli” PSG, por francezët do të futen në lojë vetëm nëse shesin Kavanin dhe nuk blejnë dot Kristiano Ronaldon.