Lëv: Nojer në Botëror, por vetëm si titullar

Trajneri i kombëtares gjermane ka deklaruar se kapiteni i “Die Mannshaft” do të shkojë në Rusi vetëm si numri “1” i portës së “Pancerave”. Stoli nuk është një opsion për 32-vjeçarin…

Prezenca ose jo e Manuel Nojerit në Botërorin “Rusi 2018”, është e vetmja çështje e mbetur pezull në kampin e përfaqësueses gjermane. Kapiteni i “Pancerave”, sapo ka lënë pas sezonin më të vështirë të karrierës së tij. “Makthi” i 32-vjeçarit nisi në fillim të muajit shtator, kur pësoi një frakturë të rëndë në kockën e këmbës. Fillimisht, u mendua se gardiani i Bajernit të Mynihut do të qëndronte të paktën pesë muaj jashtë fushave, por fati solli një sërë surprizash të “hidhura”. Procesi i riaftësimit ishte shumë i mundimshëm, madje kishte javë që, plaga përkeqësohej dhe kjo u bë një dukuri që përsëritej çdo muaj. Sot jemi para fakti që Nojer nuk ka luajtur prej më shumë se tetë muajsh, një periudhë kohore kjo, që me patjetër ka ndikuar në formën e tij.

FLALËT E LËV

Rikthimi në stërvitje gjatë javëve të fundit, i dha Nojerit, mundësinë e të qenit pjesë e listës paraprake të kombëtares gjermane për Botërorin “Rusi 2018”. Megjithatë, trajneri i kampionëve të botës, shprehu që në fillim se nuk do të ketë asnjë lloj tolerimi për kapitenin e ekipit të tij: “Nojer ka më shumë se tetë muaj pa luajtur. Të rikthehesh në formë pas një kohe kaq të gjatë, është gati e pamundur, por gjithsesi ne do të tregohemi të duruar me të”. Siç lexohet qartë nga deklarata e mësipërme, Lëv, nuk e ka fshehur aspak pesimizmin e tij për riaftësimin total të portierit me të cilin u shpall kampion bote katër vite.

S’KA TOLERIME

Por, dje tekniku gjerman i është rikthyer çështjes “Nojer” gjatë një interviste për “Sportchau”. Lëv konfirmoi se jo vetëm që për të nuk do të ketë asnjë tolerim, por madje gardianit veteran nuk do të lejohet as si alternativ e dytë. “Nojer do të vijë në Botëror vetëm si numri “1”, për të stoli nuk është një opsion”, tha 58-vjeçari. Fatmirësisht, për portierin gjerman, riaftësimi i tij po ecën me hapa të shkëlqyer. 32-vjeçari është stërvitur me rendiment të plotë në kampin stërvitor të kombëtares gjermane, në alpet e Tivolit. Rezonancat mjekësore nuk kanë treguar ndonjë përkeqësim të këmbës së lënduar. Testi i parë i Nojerit do të vijë më datë 2 qershor, në miqësoren parapërgatitore ndaj Austrisë, në rast se Nojer ia del të rikuperohet plotësisht, atëherë, kolegu i tij Ter Shtegen do të kalojë në stolin e rezervave, ndërsa portieri i PSG-së Kevin Trap, do ta shohë Botërorin nga televizori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *