Kapiteni ka pësuar një dëmtim në gjurin e djathtë. Numri një i stolit kritika ekipit për humbjen me Kamzën. Kritika për Dediçin
Një lajm mjaft të keq ka marrë dje trajneri Gugash Magani, por edhe i gjithë ekipi i Teutës. Kapiteni Nijas Lena me shumë mundësi ka mbyllur këtë vit kalendarik dhe nuk mund të luajë, pasi ka pësuar një dëmtim. Ai ka marrë një goditje në gjurin e tij të djathtë në ndeshjen kundër Kamzës, të vlefshme për Kupën e Shqipërisë. 31-vjeçari vendosi të luante në sfidën e së shtunës edhe pse me dhimbje, por duket se aktivizimi në ndeshjen e humbur kundër Kamzës në kampionat, i ka bërë më keq. Lena iu nënshtrua rezonancës magnetike ditën e djeshme, ndërsa pret një përgjigje më të qartë për situatën e tij, ditën e sotme. Në kampin blu kanë kryqëzuar gishtat për kapitenin e tyre, ata shpresojnë që Lena të mos ketë ndonjë dëmtim shumë të rëndë. Lojtari nuk është shumë optimist dhe mendon se e ka mbyllur këtë vit. Ai do të jetë një mungesë e madhe për teknikun Maganin.
ANALIZA – Teuta u është rikthyer përgatitjeve nga aneksi i stadiumit të Durrësit. Trajneri Gugash Magani ka zhvilluar analizën e humbjes me Kamzën së bashku me lojtarët. Numri një i stolit ka shprehur zhgënjimin e tij, por në një mendje me të kanë qenë edhe lojtarët. Ndeshja ndaj Kamzës ka qenë shumë e dobët dhe të gjithë kanë qenë në të njëjtin mendim. Tekniku Magani u ndal edhe te veprimi antisportiv i Dediçit që la ekipin me 10 lojtarë. Një gjest që trajneri e kritikoi shumë. Kthesa në kampionat është premtuar që në ndeshjen e ardhshme me Partizanin. Një sfidë delikate në transfertë, por që në kampin durrsak besojnë se do të nisë kthesa dhe reagimi i ekipit.
MUNGESAT – Magani nuk do të ketë në dispozicion kapitenin Lena dhe boshnjakun Dediç për ndeshjen kundër Partizanit. I pari i dëmtuar, i dyti i pezulluar. Një tjetër futbollist që rrezikon është edhe Ante Hrkaç. Goditje të mëdha për formacionin e trajnerit peqinas.