Strumica ka një stadium normal, të dorës së dytë, por duam a po s’duam ne, Maqedoni-Shqipëri do të luhet aty. Pak rëndësi ka a na çojnë qëllimisht aty, apo kanë frikë nga trazirat, është një debat që nuk na çon gjëkundi, pasi sado të çirremi e të bërtasim, FIFA dhe UEFA e kanë vendosur: stadiumi në Strumica është OK, si për kombëtaren, ashtu edhe për disa ture kualifikuese në Europë.
Një muaj punë, pak a shumë, dy tribuna të ndërtuara pas portave, disa masa sigurie më shumë, ndonjë punim në ambientet e brendshme dhe… ja, Maqedonia ka një stadium tjetër cilësor, përveç atij madhështor në Shkup, që priti Superkupën e Europës mes Realit e Mançester Junajtid.
Ndërkaq, ne mburremi që shkojmë në Europian, mburremi që prej disa vitesh po shkëlqejmë me klubet tona në Europë, por Kukësi ka një stadium skandaloz, që UEFA as që e merr në konsideratë për ndonjë ndeshje në kupat e Europës, ndërsa Skënderbeu luan deri në turin e dytë në Europë dhe më pas detyrohet të shpërngulet në Elbasan.
Kaq shumë punë e shpenzime u dashkan për të bërë një Strumicë edhe në Shqipëri? Korça e Kukësi nuk e meritojnë t’i shohin ekipet e tyre qindra kilometra larg. Tirana e Partizani nuk e meritojnë të luajnë në 40 gradë në kupat e Europës, për shkak se “Selman Stërmasi” nuk ka ndriçim në parametrat e duhur. Dhe pastaj ankohemi nga Maqedonia!