Koreografia e tifozëve të Skënderbeut në përballjen me Kukësin, sigurisht, meritonte notën “10” për nga realizimi dhe sigurisht faktin se pikërisht Europa, një territor të cilin korçarët janë duke “e shkelur” tashmë për të dytën herë në historinë e klubit, ishte tema kryesore. Një shkop si Blendi Fevziu te “Opinion”, një tabelë në formë grafiku me vizatimin e rrugës deri në grupet e Europa League, një ujk që tregon se si mund të shkosh aq larg dhe studentët që mbajnë shënim, nga Partizani te Kukësi, Flamurtari dhe Tirana, që qëndron pas dere, ndoshta sepse është me vonesë dhe nuk mund ta kapë leksionin.
Por, ky leksion, që ka krijuar mjaft ilaritet dhe sidomos ka marrë shumë “feedback”, nuk është edhe aq për të qeshur, pasi nëse vetëm Skënderbeu është ekipi që po i jep vazhdimisht pikë koeficientit të futbollit shqiptar në renditjen evropiane, atëherë do të thotë se diçka nuk shkon.
Dhe, nëse leksionet në dërrasën e zezë dhe të Europës janë pak të vështira, në fushë shihet një tjetër leksion, ai i lojës dhe alternativave. Skuadra e Ilir Dajës kaq aq shumë elementë cilësorë, saqë në Superligë mund të ketë lluksin edhe të luajë pa katër apo pesë titullarë, dhe të marrë sërish rezultat pozitiv. Sigurisht, ndonjëherë edhe nuk jep maksimumin, por kjo sepse pikërisht Europa thërret dhe sepse për lojtarët është një vitrinë si në rrugët kryesore të një qyteti…
Ndërsa, kampionati mbetet ai “tregu i madh”, ku ditën e dielë mblidhen vetëm banorët dhe jo turistët. Kjo ndoshta ndikon edhe te motivimi i futbollistëve që, megjithatë janë 9 pikë mbi vendin e dytë, kur jemi në gjysmën e fazës së dytë. Dhe, nëse do t’i jepte akoma më shumë gaz, atëherë nuk ka leksion që mund të kuptohet, e thënë kjo në aspektin real dhe jo figurativ…