Triumfi i Realit ishte mëse i merituar, por nuk mund të mos ndjesh keqardhje për një si Xhixhi Bufon, i cili po shkon drejt fundit të karrierës pa e realizuar ëndrrën e përjetshme
Ulur, i vetmuar, pastaj në lot. Vetmia e një portieri në momente disfate është e dhimbshme, sidomos për një si Bufon, që ndoshta nuk do ta fitojë kurrë atë Champions të mallkuar. “Fitoj Champions League dhe lë futbollin i qetë”. Kështu deklaronte para pak kohësh Xhixhi Bufon, një legjendë e vërtetë e futbollit italian dhe atij botëror. Rrallë, në mos kurrë, një portier është bërë simbol dhe pikë referimi për një skuadër me forcën dhe klasin e Juventusit. Megjithatë, Bufon ka qenë fenomen, ka qenë një “Bethoven” i portës. Portieri i Juves ka fituar gjithçka në Itali, ka dalë edhe kampion bote me Italinë, por fiksimi i madh i tij, ai që e bën të mos tërhiqet nga futbolli i luajtur, i është larguar sërish. Ishte pranë, shumë pranë, sepse eliminoi Barcelonën dhe nuk është pak, por Juventusi e paska tersin sa një mal, sepse ka humbur 7 finale në Champions League.
Në fakt, kundër Realit është një mision i pamundur këto kohëra, sepse Los Blancos po dominojnë botën, por Bufoni shpresonte, pasi fundja një Juventus kaq të fortë nuk e shihnim prej një dekade, kur ra perandoria e ngritur nga Luçiano Moxhi. Vetëm 3 gola të pësuar në 12 ndeshjet e këtij edicioni në Champions League, 4 të pësuar brenda një nate nga Reali. 2 gola të pësuar nga Ronaldo: duhet një gjeni për të mposhtur një gjeni, një ngushëllim i vogël për Xhixhin e pafat. Do ta tentojë sërish, me siguri, pasi Bufon është një luftëtar. Ndoshta do të vuajë disa ditë e do të mendojë tërheqjen, por tifozët e duan në fushë, si kapiten të vërtetë, ndërsa ai vetë do ta provojë, pafundësisht, derisa t’ia dalë mbanë. Ka luajtur me futbollistë të lindur në vitet ’50, ndaj nuk e ka problem të luajë edhe me çunakë të lindur në vitet 2000, sepse herët a vonë rrota e fatit do të kthejë dhe nuk do të ketë gjithnjë përballë Mesin e Kristianon.
DEKLARATA – Thuajse i përlotur, Bufon deklaroi pas finales së humbur ndaj Realit: ‘“Është një zhgënjim i madh, sepse mendonim se kishim bërë gjithçka për ta fituar këtë Champions. Mendoj se luajtëm një pjesë të parë të madhe, e dominuam ndeshjen dhe e vendosëm në vështirësi të mëdha Realin. Më mbeten peng vetëm episodet ku çdo gjë na shkoi keq, por është e vërtetë që për të fituar trofeun duhet të jesh i fortë e të kalosh çdo pengesë. E kishim përgatitur mirë ndeshjen, nuk i dhamë asnjë avantazh Realit: vrapuam shumë, por nuk u treguam konkretë të sa duhej. Në pjesën e dytë klasi, forca dhe qëndrueshmëria e tyre rezultoi vendimtare, ata dinë t’i fitojnë ndeshje të tilla. Është normale që të kemi ndonjë peng, sepse pati shumë episode ku nuk patëm fat”.
Topi i Artë, tani i pamundur
Në moshën 39-vjeçare, Bufon është ende ndër më të mirët në botë, së bashku me portierin e Bajernit Manuel Nojer. Megjithatë, fiksimi i madh i karrierës së italianit, Champions League, ka mbetur sërish një ëndërr. Në 2003 e thyente Milani, në 2015 Barcelona dhe tashmë Reali: 3 finale, asnjë triumf për kapitenin e Juves dhe Italisë. Disfata ndaj Realit është edhe më e dhimbshme, sepse vjen në fund të një sezoni triumfues, me Juven që kishte mahnitur në Champions, me mbrojtjen më të fortë dhe më shumë fitore nga të gjithë. Bufon ëndërronte të imitonte një ish-koleg të famshëm, Havier Zanetin, i cili në vitin 2010 ngrinte Kupën e Kampioneve brenda në Madrid, në moshën 37-vjeçare. Në nivel klubi Bufon ka fituar vetëm një trofe ndërkombëtar: Kupa UEFA fituar me Parmën në sezonin 1998-99. Tani Bufon me siguri do të bëhet gati prë sezonin e fundit në karrierë: 2017/18, një tentativë e fundit për Champions, por edhe për Kupën e Botës 2018. Deri atëherë, Topi i Artë duhet harruar, edhe pse u fol gjatë kohët e fundit: dueli me Kristiano Ronaldon u fitua qartësisht nga portugezi, i cili tashmë duket i sigurt për triumfin e radhës për çmimin e dhënë nga France Football.