Nga Klaudio Ndreca
Një akuzë direkte erdhi nga një ish-zyrtar i FIGC pak ditë më parë, duke rikthyer hijet e “Calciopolit” në Itali. Në ndeshjen e fituar nga Juventusi ndaj Interit në shifrat 3-2, ka pasur disa raste të kontestuara, ndërsa bardhezinjtë arritën që të ngrinin titullin dhe ajo ndeshje rezultoi kyçe për të mbërritur te suksesi, pasi Napoli i Sarrit ishte duke konkurruar denjësisht.
Kështu intervista dhe fjalët e dala nga Pecoraro, se iu dha gjithçka nga ndeshja Inter-Juventus përveçse momentit të shumëdiskutuar, ku Pjaniç iu fal kartoni i kuq, kanë marrë jehonë të madhe. Pra ajo që u kërkua dhe që nuk mbërriti kurrë ishte komunikimi i arbitrit Orsato me sistemin VAR.
Por së fundmi është Nikola Rizoli që shuan dyshimet që fajësojnë Juventusin: “Le ta sqarojmë mirë këtë çëshje, e jo të shkaktojmë konfuzion. Është kërkuar një rregjistrim audio tek Inter-Juve për rastin e Pjaniç, diçka që nuk ka ekzistuar dhe nuk është bërë kurrë. Regjistrimet e vetme që kanë qenë janë dërguar në atë protokoll”, tha Rizoli për “Sky Sport”. /Sport Ekspres/