Momenti i vështirë që Kristian Eriksen kaloi në ndeshjen e parë në këtë Kampionat Europian ka prekur mbarë botën e futbollit e në mënyrë të veçantë edhe Lukakun. Mesfushori danez është një njohje personale e sulmuesit të Belgjikës, duke qenë se të dy luajnë për skuadrën e Interit.
Pas përfundimit të takimit të sotëm, Lukaku ka qendruar pak më gjatë se të tjerët në fushë, duke u lutur për shëndetin e Eriksen. Në një prononcim për mediat, nuk e fsheh faktin se ka qarë në momentin që ka mësuar për arrestin kardiak të pësuar nga 29-vjeçari danez.
“Gjithë mbrëmjen kam qarë, jam lutur, kam qarë shumë. Unë isha i frikësuar sepse Kris [Eriksen] është një miku im i mirë. Unë e njoh familjen e tij dhe isha i tmerruar. Do ta telefonoj menjëherë. Kjo është për ty, Kris”, ka thënë Lukaku, që gjithashtu i dedikoi golin e parë shokut të tij të skuadrës te Interi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/