Lazio/ Kthehet një shqiptar, dëmtohet një tjetër

Fillim i pafatë i sezonit për shqiptarët e Lacios. Fillimisht Tomas Strakosha, që mbeti për javë me radhë larg skuadrës për shkak dëmtimi. Tani që portieri u rikthye, klubi i Serisë A është në ankth për një tjetër futbollist shqiptar.

Valon Berisha është i dëmtuar dhe rrezikon të humbasë ndeshjen e debutimit kundër Napolit. Blerja më e re e bardhekaltërve po vuan një dëmtim muskulor në kofshën e majtë, që e ka mbajtur larg skuadrës prej dy javësh. Praktikisht nga momenti i transferimit te Lacio, mesfushori i përfaqësueses së Kosovës ka qëndruar më tepër në infermieri.

Stafi mjekësor i klubit ka bërë të ditur se po bën të pamundurën që Berisha të rikuperohet në kohë, edhe sepse për ndeshjen e së shtunës kundër Napolit, trajneri Inzagi nuk do të ketë në dispozicion të skualifikuarit Luluç dhe Lukas Leiva, por edhe Murgian që ka thyer gishtin e këmbës.

Valon Berisha qëndroi gjatë fazës përgatitore pranë ekipit, për të vazhduar programin e diferencuar të rikuperimit. 25-vjeçari pret përgjigjen e rezonancës magnetike, për të kuptuar nëse do të grumbullohet në ekip për sfidën me Napolin. Nëse merr “dritën jeshile”, mesfushori pritet ta nisë n ndeshjen nga stoli, për të shpresuar që të debutojë sa më shpejt në Serinë A italiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *