Lista e publikuar nga ana e Shaland për ndeshjet e muajit mars të Kosovës ka lënë të pakënaqur jo pak lojtarë. Një prej tyre është edhe Florent Muslija, i cili nuk e ka pritur mirë faktin që nuk është pjesë e dardanëve. Futbollisti shqiptar ka dhënë një prononcim për “Indeksonline“, ku shprehet se nuk e di faktin përse në adresë të tij nuk ka mbërritur një ftesë.
Sipas tij e meritonte të ishte pjesë e Kosovës, duke qenë se luan në Bundesliga 2 me Hanoverin dhe po bën paraqitje të mira. Muslija tregon se asnjë telefonatë nga FFK-ja nuk ka ardhur në drejtim të tij, por ka qenë vetë ai që është interesuar. Përgjigja nga menaxheri i përfaqësueses së Kosvës ishte një vend në listën rezervë.
“Unë nuk e kam idenë pse nuk më kanë dërguar ftesën. Vetëm e di që s’jam i kënaqur. Unë jam i gatshëm për Kosovën. Gjithçka e kisha dhënë për Kosovën. Unë e meritoj të jem pjesë e Kosovës. Edhe atëherë kur më kanë ftuar, unë e kam lënë Gjermaninë për Kosovën, sepse zemra ime rrah për ‘Dardanët’. Unë jam në formë dhe i gatshëm. Jam shumë i interesuar për të ndihmuar vendin tim.
Kam folur me Bajram Shalën, me menaxherin e Kombëtares. E kam pyetur se si është situata pandemike. Unë e kam telefonuar, desha të dija se si është situata, dhe e kam pyetur se a do të më ftoj trajneri. Ai më tha se unë jam në listën rezervë.
Edhe Valmiri (Sulejmani) edhe unë e kemi merituar ftesën. Jemi në ligën e dytë në Gjermani, një ligë e fortë. Neve na japim mundësi të luajmë aty dhe besoj që e meritojmë të luajmë për Kosovën. Ne jemi të gatshëm për të dhënë kontribute për Kosovën“, ka thënë Florent Muslija./Halit Delibashi-Sport Ekspres/