Në Bergamo pas shumë kohësh ka një tjetër temë diskutimi, këtë herë jo më për numrat e infektimeve dhe vdekjeve të reja nga Koronavirusi. Në këtë qytet po flitet tashmë për jetën, për futbollin. Atalanta e tyre që në këtë sezon po bën arritje mbreslënëse edhe në Champions League, u kthye në Seria A për të mposhtur 4-1 Sasuolën.
Berat Gjimshiti hapi vallen e spektaklit dhe golave duke shënuar në minutën e 16, duke mos gabuar para portës kundërshtare. Për të vazhduar me golat e tjerë të Atalantës dhe kur rezultati ishte në shifrat 4-0, në minutën e 73 del trajneri Gasperini me të kuq. Kur ekipi i tij po fitonte thellë dhe gjithçka ishte mbyllur, nuk mundi të përmbante nervat kur VAR hoqi një penallti për Atalantën që të shënonte edhe të pestin. Një përjashtim i pazakonte i një trajneri ky duke parë rezultatin, ndërsa pas kësaj fitore ekipi nga Bergamo gjendet në vendin e 4 pas Interit. /Sport Ekspres/