Largimi dhe dueli me Partizanin: Progni zbulon objektivat e Teutës

Teuta nuk është më befasia e kampionatit, por një realitet i bukur. Fitorja ndaj Skënderbeut në Korçë, konfirmoi se durrsakët e meritojnë vendin e tretë në renditje, madje prej kësaj fundjave mund të kandidohen si rivalët e kryesuesve, në rast se përsëritin suksesin edhe ndaj Partizanit.

Në emisionin “Fair Play” në televizionin “Ora News”, Gerhard Progni zbuloi objektivat e “djemve të detit” në këtë sezon. Ylli i rikthyer në “Niko Dovana”, vetëm pas aventurës që zgjati disa javë te Partizani, foli edhe për duelin e radhës me të kuqtë.

“Prej ditës së parë kisha shumë besim se do të bënim diçka të mirë. Kush pashë presidentin, stafin me trajnerin Shkëmbi, apo lojtarë si Osmani, Bici e Hidi, kisha shumë besim se do të arrinim në Europa League”.

“Largimi nga Partizani? Nuk kam dëshirë ti kthehem mënyrës si rrodhën ngjarjet, sepse tashmë mendoj vetëm për Teutën. Ekipi ynë ende nuk është në 100 për qind, sepse një pjesë e madhe e lojtarëve me eksperiencë janë afruar në fundin e merkatos: Teuta do të rritet edhe më tepër”.

“Batutat e Osmanit? Para ndeshjes me Skënderbeun tha batutën e filmit ‘Gladiatori’: ‘Tradhëtari nuk isha unë, por e kishit mes jush’. Teuta ka qenë gjithmonë mace e zezë për Skënderbeun, edhe unë kur luaja në Korçë na ka marrë pikë dy-tre herë. Mund ta mbyllnim shumë më shpejtë dhe mund ta kishim më të lehtë fitoren. Ai sukses na rrit shumë, edhe sepse ekipet janë aty-aty”.

“Në tetë ndeshje kemi arritur gjashtë fitore dhe dy barazime. Tashmë do niset të flitet disi më tepër për Teutën, sepse na kishin lënë pak në harresë. Dueli me Partizanin në Durrës? Presidenca na ka kërkuar ta fitojmë… e rëndësishme është që të mos humbasim dhe nëse nuk marrim dot tre pikë, të marrim të paktën një barazim. Megjithatë, shpresojmë të fitojmë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *