Joan Laporta tha pak ditë më parë se për shkak të problemeve financiare, Barcelona nuk do të jetë në gjendje të sjellë përforcime në merkaton e janarit, por shumë besojnë se kjo nuk është e vërtetë sepse klubi dërgoi disa skautë në Katar për të monitoruar Kupën e Botës dhe lojtarët që janë në listën e dëshirave të klubit.
Laporta arriti të përmirësojë disi bilancin financiar të Barcelonës pasi mori në dorë klubin gati dy vite më parë. Ai arriti të bëjë një mrekulli në merkaton e verës duke sjellë përforcime të mëdha dhe pritet të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe në janar.
Mirëpo, pak ditë më parë, presidenti i klubit katalanas u shpreh se Barça nuk është në momentin më të mirë financiarisht dhe se “fair play” financiar është arsyeja kryesore pse nuk do të mund të sjellin ndonjë përforcim të madh në janar.
Mediat spanjolle besojnë se Laporta nuk po thotë të vërtetën dhe se ai thjesht dëshiron t’i largojë pak vëmendjen Barcelonës në mënyrë që klubi të përgatitet më mirë, Katalanas Sport tregon se katalanasit vendosën të dërgonin disa skautë në Katar për të ndjekur lojtarët në listën e dëshirave, teksa janë 10 lojtarë në monitorim, përkatësisht: “Ilkay Gundogan, Ruben Neves, Enzo Fernandez, Juan Foyth, Joshko Guardiol, Bernardo Silva, Benjamin Pavard, Diogo Dalot, Youri Tielemans dhe Martin Zubimendi”. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/