Një mënyrë lamtumire! Ndoshta një mirë u pafshim në të ardhmen. Jo rastësisht, lojtari i parë që doli para mediave në sezonin e ri te Skënderbeu ishte Enis Gavazaj. Mesfushori është ylli i radhës që do të shitet në merkato, për të mbushur arkat e klubit. Shifra përllogaritet në afro 600 mijë euro, ndërsa Gavazaj flet për të tashmen, të ardhmen dhe objektivat, personale dhe të aventurës që po lë pas vetes.
Zërat e merkatos
Nuk i dihet a është sezoni i fundit apo jo, di që ka interesim. Jam lojtar i Skënderbeut dhe mendoj për këtë ekip.
Ofertat nga jashtë
Interesohen klube nga Belgjika, Kroacia e Rusia. Do iki ku të jetë më e mira. Emri i Skëndebreut mbetet i madh në futbollin shqiptar, kështu që besoj se edhe sivjet do ketë lojtarë që do e përfaqësojnë qytetin e Korçës. Jam i sigurt që me afrimet që do bëhen do luftohet për kreun.
Ekipi i ri
Me rëndësi është që aty ku të iki të luaj dhe të kem vazhdimësi. Nuk është me rëndësi kampionati, rëndësi ka të luaj. Mjafton të jetë një kampionat më i fort. Kemi kontakte në Austri, Kroaci e Rusi.
Lamtumira për ekipin
Me kalimin e kohës do mësohet ekipi. Kam kaluar dy vite të mrekullueshme, kam shumë respekt. Nuk doja të ikja kështu, pa u përshëndetur me ekipin. Besoj se do vija përsëri dhe më pas do largohesha.
E ardhmja e Skënderbeut
Nuk e di sa lojtarë janë larguar, por besoj se me Orges Shehin do ia arrijmë të bëjmë një ekip të fort dhe shumë kompetitiv. Gjithmonë ka zëvendësime: iku Latifi, Berisha, Salihi. Gjithmonë largimet bëhen të mirëmenduara dhe besoj se do të ketë afrime shumë cilësore.