“Lajthitje e Dedes, mbase e ka nga stresi“, Gëzdari për deklaratën e trajnerit të bardhebluve: Në futboll të ngecin llafet në fyt

Skuadrat e Kategorisë Superiore kanë luajtur një fazë të kampionatit dhe kanë krijuar kështu një imazh më qartë se çfarë mund të presim nga secila në këtë sezon. Specialistii i futbollit, Edmond Gëzdari, ka dhënë një intervistë për moderatorin Drilon Xhepollari në emisionin “Sport Magazine” në “Ora News“, ku ka komentuar ecurinë e ekipeve deri më tani. Sipas tij Vllaznia ka krijuar një grup mjaft të fortë, megjithëse ende nuk mund të flitet për titullin kampion.

Në grupin e skuadrave pretendente sheh edhe Teutën, për të cilën shprehet se e bind më tepër se sa Partizani. Më tej Gëzdari jep edhe një koment mbi deklaratën e Nevil Dedes në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Kukësin, duke e cilësuar si një lajthitje të trajnerit të bardhebluve.

Vllaznia

“Unë nuk mund të them dot a mund të dalë Vllaznia kampion, por ka bërë hapa që janë shumë të rrallë. Sepse mos harroni se është 6 pikë përpara të gjithëve. Në kampionatin tonë që ka 9 ndeshje në fazë është shumë. Vllaznia ka ndërtuar një skuadër të mirë dhe për të qenë përpara, a del kampion ky është problem. Kush është atje në fillim dhe ka diferencë ka dhjam, dhe mund të heqi edhe dhjamin e tij”.

Partizani

“Parizani rrezikoi sot, sepse golat ishin në fund të lojës. Tani për tani është një skaudër që nuk të jep garanci për të shkuar deri në fund. Unë e njoh konceptin e Dajës. Duke pasur vështirësi që i mungojnë njerëzit mbrapa, ka ndërtuar një skaudër që mbron e gjitha. Kjo i heq mundësinë për të shënuar gola. Daja ka kërkuar që tani për tani me ata njerëz që ka, të mos pësojë gola dhe pastaj të kapë çfarë të kapë në sulm. Nëse Partizanit i lejohet të marri lojtarë të tjerë, do i duhet të bëjë përmirësime.

Starova ka dhënë efekte te Teuta?

“Sigurisht! Starova është një njohje e vjetër e Durrësit. Ka qenë disa herë trajner i tyre. Mendoj që është një ndihmë e madhe për trajnerin kur aty pranë ka edhe Starovën. Mua më bind më shumë Durrësi se sa Partizani. Mendoj që mund të shkojë deri në fund. E ka skuadrën shumë të mirë, i ka të gjitha repartet të mira. Duhet të zgjidhi pak finalizimin. E shoh Durrësin mjaft të rrezikshëm, te grupi i 4 skuadrave pretendente për të dalë kampion.

Deklarata e Dedes se Tirana e mund Kukësin edhe me 18-vjeçarët?

“Nuk do të korrigjoj Deden se është i përgjegjshëm për çfarë ka thënë, se pastaj në futboll të ngelin llafet në fyt. Kjo është lajthitje e Dedes. Mbase stresi që ka bërë me Tiranën 4-5 barazime, ka mundur vetëm Fierin. Ai të rrihte ato njëherë pastaj Kukësin. Pra kur jep kështu deklaratash do të thotë që ti e dominon kampionatin, u shënon nga 3 gola skuadrave dhe tani i erdhi radha Kukësit, merr ata të rinjtë që ta mundësh. Kam përshtypjen që Tirana ka skuadrën më të mirë bashkë me Durrësin, por kjo nuk është sjellje modeste përpara pulikut në radhë të parë dhe të lojtarëve të vetë”.

Sulmuesi që bën diferencën

“Kam përshtypjen që sulmuesi pykë i Laçit është lojtar që të zgjidh punë. Do kisha qejf të thoja edhe për Muçin e Tiranës, por me ç’po shoh ai nuk është pyka e parë, por ka nevojë për një tjetër në sulm, është sulmues i dytë”, ka deklaruar Edmond Gëzdari./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *