LAJM I FUNDIT/ Tirana fiton lehtë në Laç dhe afron titullin kampion, Partizani mbyll hesapet me Vllazninë dhe frymëzohet nga Manchester City

Tirana arriti të fitonte pastër në transfertën e Laçit me shifrat 1-3. Pas barazimit në derbi me Partizanin, pritej që kjo të ishte pengesa më e madhe e bardhebluve, megjithëse nuk rezultoi e tillë. Florent Hasani hapi takimin me një super gol nga distanca në pjesën e parë.

Teksa kurbinasit po provonin me të gjitha mënyrat për të barazuar, Ardit Hila do të dyfishonte shifrat në minutën e 65. VAR e rishikoi rastin për thuajse 4 minuta pasi dyshohej për pozicion jashtë loje të Abazajt në nisjen e aksionit, megjithëse vendimi nuk ndryshoi dhe goli u quajt i rregullt. Vetëm pak minuta më vonë Hila shënoi dopietë pas asistit të Abazajt. Në minutën e 90 vendasit ngushtuan diferencën me Guindo.

Nga krahu tjetër Partizani ia doli kundër Vllaznisë për të fituar 2-1. Rrapaj dhe Sota do të shënonin në pjesën e parë, ndërsa Bekim Balaj ngushtoi diferencat. Ky ishte goli i dytë në kampionat për Balajn dhe të dyja golat i ka realizuar kundër Partizanit, por këtë herë jo me penallti, por me kokë. Partizani frymëzohet nga rasti i Manchester City në Premier League, teksa po bën detyrën për të fituar të gjitha ndeshjet e mbetura dhe duke pritur gabimin e parë të Tiranës që të marrë kryesimin. Por deri tani, Tirana nuk po e përsërit Arsenalin për ta lënë titullin pas shumë javësh kryesim në momentin e fundit. /Sport Ekspres/

Partizani-Vllaznia 2-1 Rrapaj 26′, Sota 33’/ Balaj 52′

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *