Shqipëria vazhdon të befasojë në Grupin E. Kuqezinjtë kanë marrë një tjetër rezultat pozitiv nën drejtimin e Silvinjos. Kombëtarja shqiptare neutralizoi Çekinë në pjesën e parë të takimit, duke e mbajtur rrjetën në paprekur. Ndërkohë çekët provojnë më shumë përpara në fillimin e pjesës së dytë. Rritja e intesitetit të tyre jep efekt, teksa shkundin rrjetën e mbrojtur nga Berisha. Por VAR-i ngriu festën e vendasve, pasi sinjalizoi për pozicion jashtë loje.
Pak minuta më vonë, topi shkoi sërish në rrjetë. Këtë herë VAR-i dha konfirmimin dhe Republika Çeke mund të festojë lirshëm avantazhin. Megjithatë, gëzimi në fytyrat e tyre nuk do të zgjaste shumë. Shqipëria e Silvinjos na ka treguar se nuk e njeh fjalën “dorëzim”. Nedim Bajrami realizoi një perlë në minutën e 66, kur me të djathtën e tij e dërgoi topin në trekëndësh dhe la të shtangur çekët. Ndeshja përfundoi me shifrat 1-1 dhe Shqipëria mbetet përsëri e dyta në grup, me vetëm një pikë më pak se Çekia kryesuese. Tashmë Kampionati Europian është gjithnjë e më pranë për kuqezinjtë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/