LAJM I FUNDIT/ Partizani i bëri dhuratën e bukur në fund tifozëve, Murinjo largohet me fitoren e dytë nga stadiumi që i solli rekordin europian

Miqësorja e luksit Partizani-Roma ka përfunduar me rezultatin 1-2. Në pjesën e parë të takimit u pa qartë dominimi i verdhekuqve, që zbritën në fushë me formacionin e tyre të parë. Mbrojtja e “demave të kuq” rezistoi për vetëm 12 minuta, kur El Sharaui mposhti Alban Hoxhën me një parabël. Vetëm 14 minuta më vonë, Beloti shkund sërish rrjetën e Partizanit.

Pjesa e dytë e pa skuadrën kampione të Shqipërisë më kërkuese, ndërsa Zekiç nis të hedhë në fushë më tepër titullarë. Partizani i jep tifozëve të shumtë të pranishëm një dhuratë të bukur në minutën e 85, kur Tedi Cara shënon një nga golat që do ta mbajë mend gjatë. Sulmuesi shqiptar driblon bukur në zonë dhe e vetmja mënyrë për ta ndalur është me faull. Juxhin Xhaka akordon penallti dhe në pikën e bardhë të penalltisë shkon po vetë Cara. Ky i fundit ekzekuton saktë 11-metërshin, duke ndezur edhe më shumë festën në “Air Albania”. Partizani synon deri në fund edhe për golin e barazimit, po pa mundur ta gjejnë atë. Në fund Roma fiton me shifrat 1-2 dhe Murinjo largohet me fitoren e dytë nga “Air Albania”, stadium ku një vit më parë fitoi trofeun e Ligës së Konferencës, duke vendosur edhe një rekord personal në Europë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *