Trajneri i Astanës ka dalë në konferencën për shtyp para ndeshjes me Partizanin. Takimi është i vlefshëm për Play Off të Conference League dhe do të luhet në mbrëmjen e nesërme. Grigory Babayan ka vlerësuar Partizanin dhe nga ana tjetër i ka bërë thirrje lojtarëve që të mbyllin hesapet që në ndeshjen e parë, pasi rruga do të jetë e gjatë në transfertën në Shqipëri dhe lodhja mund të ndikojë negativisht.
“Nesër është një nga ndeshjet më të rëndësishme. Detyra numër një është futja në grupin e Conference League, duket qartë se kundërshtarët janë një ekip serioz europian, shumë agresiv, bie menjëherë në sy. Por ne duhet të jemi gati para ndeshjes së nesërme në mënyrë që të mund të kemi një fillim komod dhe në ndeshjen e dytë do të jetë më e lehtë për ne. Kjo është shumë e rëndësishme, duke qenë se kemi një fluturim të gjatë përpara, kjo është një barrë shtesë.
Është thelbësisht e rëndësishme për ne që të bëjmë gjithçka nesër në mënyrë që të shkojmë në gjendje të mirë në ndeshjen e dytë. Ndoshta nesër nuk do të ketë tribuna plot, por shpresoj që ata tifozë që do të vijnë nesër në stadium do të na mbështesin dhe do të jenë me ne deri në fund”, tha Babayan. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/