Ende nuk është përcaktuar nëse luan apo jo Rexhinaldo, ndaj trajneri Nica ka provuar disa lojtarë në repartin ofensiv
Vladimir Prenga
Gjithçka është fokusuar te taktika që do të përdoret në Kukës në seancat stërvitore të kurbinasve. Trajneri Stavri Nica është parë tepër i impenjuar gjatë përgatitjeve, teksa ka dhënë këshilla për të gjithë futbollistët, për mënyrën se si duhet të luajnë së bashku, por ka edhe detyra specifike për gjithsecilin. Në një ndeshje të vështirë si ajo me kampionët përqendrimi dhe vendosja në fushë është e rëndësishme, ndaj edhe po i mëshohet shumë këtyre aspekteve. Humbja në ndeshjen e fundit me Luftëtarin i ka kthyer me “këmbë në tokë” kurbinasit pas atij fillimi mjaft të mbarë me fitore ndaj Partizanit në kryeqytet. Besimi për t’ia dalë mbanë edhe në Kukësi është prezent mes futbollistëve. Pak ditë më parë ishte mesfushorit Myrto Uzuni, i cili shprehu hapur objektivin për të surprizuar në këtë transfertë. Në dy javët e para, por edhe në finalen e Superkupës, Kukësi ka shfaqur oscilacionet e veta, ndaj edhe kjo jep besim bardhezinjve për përballjen e nesërme.
SULMI – Ndaj Partizanit dhe Luftëtarit Laçi ka luajtur me Maikon Eskerdën në majën e sulmit, ndërkohë stafi teknik që në fillim të javës ka lënë për të kuptuar se braziliani do të tërhiqet në mesfushë për të organizuar manovrën sulmuese. Trajnerit Nica i duhet të vendosë për lojtarin që do të luajë përpara dhe gjatë kësaj jave janë bërë disa prova. Në ekip ka disa futbollistë që luajnë në ofensivë, por bëhet fjalë për lojtarë të rinj. Rexhinaldo ende vijon të punojë i diferencuar dhe ende nuk ka një vendim nëse do të luajë apo jo nesër ndaj Kukësit. Nisur nga kjo situatë në sulm është provuar i riu Bushi, pozicion që e ka mbuluar edhe gjatë miqësoreve të verës, po ashtu edhe me skuadrën e të rinjve sezonin e shkuar. Veç tij Nica ka parë aty edhe të Xhixhën, Mbombon dhe nigerianin Ejoh, që në ndeshjen me Luftëtarin ishte pozicionuar në krahun e djathtë të mbrojtjes në mungesë të Ademir, i cili e ka shlyer pezullimin e kartonit të kuq të marrë ndaj Partizanit dhe pritet ta nisë nga minuta e parë ndaj Kukësit. Sot pritet të qartësohet edhe formacioni titullar, teksa do të shihet edhe se kush do të luajë në sulm.