Bardhezinjtë po bëjnë një sezon mjaft të mirë, teksa në ekip kanë edhe katër lojtarë të “paprekshëm”
Laçi fitoi me Lushnjen 3-1 kundër Lushnjes, për të mbyllur në mënyrën më të mirë vitin 2017. Kanë qenë të shumtë ata që mund t’i kenë menduar kurbinasit si një skuadër për të rënë nga Superiorja, por me përfundimin e 16-të javëve të para të kampionatit e shohin veten në vendin e tretë, vetëm një pikë larg Flamurtarit të vendit të dytë. Trajneri Mezani ka bërë një punë mjaft të mirë me djemtë e tij, ndërkohë që nuk ka munguar mbështetja e presidentit Pashk Laska dhe kryebashkiakut Artur Bardhi. Objektivi mbetet ndeshja e radhës dhe në Laç e dinë mirë se nuk arrihet larg nëse nuk mendohet kështu, por për momentin të gjithë duan të pushojnë dhe të bëhen gati për pjesën e dytë të sezonit. Festë mund të ketë vetëm në fund.
TË PAPREKSHMIT
Laçi i këtij sezoni ka disa pika kyçe dhe një nga ato është portieri Gentian Selmani, që po bën një sezon shumë të mirë me kurbinasit dhe nuk ka humbur asnjë ndeshje. Por te kurbinasit ai nuk është i vetmi që i ka luajtur ndeshjet e plota, pasi edhe tre futbollistë të tjerë nuk kanë njohur zëvendësim. Dy prej tyre luajnë në mbrojtje. Eglentin Gjoni është njëri. Shtatlarti që vjet është kthyer në një titullar fiks dhe këtë sezon, si Nica ashtu dhe Mezani, i kanë besuar formacionin dhe nuk e kanë zëvendësuar në asnjë moment, madje ndaj Lushnjes 25-vjeçari sakrifikoi. Fangaj është lojtari tjetër. Dëmtimi i Qaqit para nisjes së kampionatit i hapi rrugë aktivizimit të tij dhe 20-vjeçari shkodran nuk ka zhgënjyer. Ka luajtur fillimisht në qendër të mbrojtjes, ndërsa më pas kaloi në krahun e djathtë. I ri, energjik dhe Laçi e ka fituar bastin me të. Sigurisht ka për të mësuar, por është në rrugën e duhur, sikur një pjesë e mirë e të rinjve në këtë klub. Myrto Uzuni ishte një nga goditjet e merkatos së verës për Laçin, që e blenë mesfushorin tek Apolonia. 16 ndeshje të plota për të dhe tre gola. Fjoart Jonuzi gjithashtu ka zbritur në fushën e blertë në të gjitha ndeshjet e bardhezinjve këtë sezon. Kështu ndodhi edhe vjet me të. Në sezonin aktual ai nuk ka luajtur si titullar vetëm në sfidën kundër Luftëtarit javën e dytë, duke qenë në pesë lojtarët me më shumë minuta.
LOJTARËT ME MË SHUMË MINUTA TE LAÇI
- Gentian Selmani 16 1440
- Myrto Uzuni 16 1440
- Abdurrahman Fangaj 16 1440
- Eglentin Gjoni 16 1440
- Fjoart Jonuzi 16 1388