Laçi, “jepi dorën” Mezanit!

Cikli i ri i Laçit. Futbollistë të rinj dhe rezultate pozitive në transfertë. Ky ekip ka ndryshuar strategjinë dhe filozofinë. Trajneri meriton komplimente

Gjergji Stefa

“Ky cikël ka marrë fund, më shumë se kaq nuk mund të bëhet me këtë grup lojtarësh”. Presidenti i Laçit, Pashk Laska, falënderoi Zotin dhe tabelën e shumëzimit sezonin e shkuar. Në dhjetor ishte 14 pikë pas Tiranës, në javën e fundit ishte një pikë më lart. Diku u shënua një gol në minutën e fundit, diku e ndihmoi shtylla. “Tani duhet të ndryshojmë”. Gjërat e reja bëhen me njerëz të rinj. Megjithatë Laçi kish një lloj detyrimi për Stavri Nicën. Gabim i korrigjuar. Nica ia bëri gjërat më të thjeshta, u largua vetë pas javës së tretë. Sigurisht që fjalët mund t’i kish kursyer. Aq më tepër duke thënë “unë kam lojtarë amatorë”. Megjithatë kurrë nuk do dëgjoni ndonjë fjalë jo të mirë nga drejtuesit për Nicën. Me të u fitua Kupa e parë në histori dhe u sigurua mbijetesa vitin e shkuar. Do jetë gjithnjë “një mik i familjes”.

Ekipi nuk është për t’u hedhur poshtë, përkundrazi. Portieri Selmani ende nuk ka mbushur 20 vjeç, është kapiten skuadre dhe luan rregullisht, madje shumë mirë me Under 21. Qaqi dhe Gjoni kanë një farë të ardhme, ndërsa Kallaku, Bushi e Xhixha janë të talentuar dhe meritojnë shumë. Për Uzunin u paguan 30 mijë euro tek Apolonia, ndërsa për Rexhinaldon në sulm u fitua balotazhi me disa skuadra. Mund të kemi harruar ndonjë, por ndonjë ka madje dhe rritje dhe këto janë mesfushorët Jonuzi dhe Bardhi. Në pamje të parë emra modestë. Kjo është skuadra me moshën më të re mesatare në kampionat. Pothuaj gjithë ekipet e tjera kanë lojtarë më të njohur. 18 pikë në 13 javë shumë pranë zonës euro. Çfarë ka ndodhur?

Trajneri i duhur në vendin e duhur. Gentian Mezani. Trajner me filozofi sulmuese, ku në qendër ka futbollin e bukur dhe këtë e ka treguar sa herë i është dhënë mundësia në Vlorë. Mbi të gjitha një nga ata me kokën ulur, që dëshiron më së fundi ta ndërtojë karrierën e tij jashtë Vlorës dhe hijes së Flamurtarit. Skuadra me të luan më mirë se sa mendohej. Ndeshja kundër Kukësit përshembull ,vërtet u humb 0-1, por Laçi tregoi që mund të rivalizojë dhe dominojë edhe ekipe që mbartin titullin kampion në fuqi.

Nuk ka ndryshuar vetëm trajneri dhe lojtarët. Mbi të gjitha ka ndryshuar filozofia e klubit. Jo më agresivitet, presion dhe lojë e rëndë në kufijtë e dhunës. Ai cikël ka përfunduar. Tani futbolli i tyre është elegant, fusha vendase nuk është më një tabu dhe pikët e marra në transfertë janë më të shumta se sa pikët në Laç. Fitore jashtë fushe kundër Partizanit, fitore në Shkodër, fitore në Lushnjë. Edhe me Flamurtarin që doli në barazim u luajt në Krujë, ndërsa në Durrës barazimi ishte mëse i merituar.

Në ciklin e shkuar, ku ndonjëherë përmendej dhe në faqet e kronikave të zezave, Laçi fitoi 2 herë Kupën, shkoi 4 herë në Europë dhe madje kaloi një herë dhe turin. Laçi i ri është ende në embrion. Ndoshta nuk është aq fitues sa Laçi i shkuar, por është shumë më elegant dhe goja të rrëshqet më lehtë kur bie fjala te komplimentet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online