Tirana ka përsëritur historinë e Partizanit pas shpalljes së ekipit kampion, atje ku largimet e futbollistëve, drejtuesve dhe trajnerit nuk janë shmangur. Pavarësisht rezistencës për të qëndruar me Egbon edhe në këtë sezon të ri, largimi thjeshtë vonoi në kohë pasi vendimi u zyrtarizua pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, pak ndeshje nga fillimi i këtij sezoni.
Më herët ishte një tjetër protagonist në suksesin e Tiranës që zgjodhi të largohej. Arbi Laçi, njeriu që dha shumë për pasurimin e organikës së bardhebluve. Arsyeja e largimit ishte fakti se Halili kërkoi që posti i drejtorit të bëhej nga dy persona, duke afruar edhe Tefik Osmanin. Për herë të parë vetë presidenti i Tiranës ka sqaruar edhe këtë çështje.
“Unë nuk jam penduar që kam marrë Osmanin. Kur e kam marrë Osmanin, Laçi si një person inteligjent më kërkoi që të ndërprisnim bashkëpunimin. Ka qenë direkt pas meje për funksionin që kishte në klub. Por më duhet të them se Tirana ka nevojë për pesë drejtora, një ekip i madh si i yni. Me ato ëndërra dhe dëshira që kam unë duhet shumë punë që të arrihen. Arbi e bëri punën në mënyrën më të mirë dhe e ndihmon edhe sot Tiranën me mundësitë e tij, ndonjë telefonatë, e sheh edhe në stadium. Pavarësisht se jemi keq tani në renditje, por do t’ju sjell Osmanin në fundin e kampionatit për t’iu treguar sesi ia dolëm edhe për këtë sezon, se unë e kam bindje”, u shpreh Halili që ka siguri se do të vijë edhe kthesa e madhe e këtij sezoni për Tiranën. /Sport Ekspres/