Laçi i plotë, edhe Ansi Nika me grupin

 

Vladimir Prenga

Laçi nuk i është ndarë përgatitjeve, teksa menjëherë pas ndeshjes me Lushnjën për Kupë ekipi ka zbritur në fushën e blertë dhe të gjithë e kanë mendjen te ndeshja e kampionatit me Vllazninë në Shkodër. Bardhezinjtë kanë treguar se dinë të marrin pikë edhe jashtë fushe, madje kanë marrë shumicën e tyre, tetë pikë, nga 15 të grumbulluara në total. Trajneri Gentian Mezani ka nisur menjëherë nga këshillat për përballjen me shkodranët dhe dje ekipi ka punuar në aspektin taktik, sikurse pritet të ndodhë edhe sot e nesër, kur edhe do të përcaktohet formacioni.

KONTIGJENTI – Në ndeshjen e Kupës me Lushnjen stafi teknik kishte lënë pushim disa prej titullarëve, në mënyrë që të rifitonin energjitë e humbura, pasi të shtunën u luajt në kampionat kundër Kukësit. Ajo përballje ishte mjaft impenjative dhe një pushim ka qenë i nevojshëm për disa prej futbollistëve. Një nga ata që nuk kishte pushuar në asnjë ndeshje ishte mbrojtësi Abdurrahman Fangaj, titullar në të 12 takimet e para në kampionat, madje nuk është zëvendësuar në asnjë takim, sikurse ka ndodhur me portierin Selmani, mbrojtësin Eglentin Gjoni dhe mesfushorin Myrto Uzuni. As beratasi nuk luajti në Kupë. Trajneri Mezani për këtë ndeshje do ta ketë grupin thuajse të plotë, pasi vetëm mbrojtësi Arbër Shala është mungesë e sigurt. Mbrojtësi shqiptar nga Kosova mori një të çarë në vetull, që e detyroi të vendoste gjashtë penj dhe tanimë është në proces rikuperimi. Shala mungoi në Lushnjë dhe i duhet të pushojë edhe ndaj Vllaznisë. Gjithsesi i gatshëm është kapiteni Sefgjini për ndeshjen me shkodranët. Klubi pagoi për aktivizimin e kapitenit që në ndeshjen e Kupës, pasi i duhet të rifitonte ritmin e kampionatit në prag të derbit me kuqeblutë.

ANSI NIKA – Mesfushori shkodran pati probleme pas ndeshjes me Kukësin dhe sikurse kemi raportuar stafi teknik ishte i detyruar ta linte pushim në Kupë. Nika mendohej se mund të mungonte edhe në ndeshjen me Vllazninë, por duket se nuk do të ndodhë kështu. Dje mesfushori ka dalë në stërvitje dhe e ka ndjekur të gjithë seancën stërvitore normalisht, sikurse edhe shokët e tjerë të skuadrës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *