Sulmuesi dhe mesfushori po kalojnë një moment të mirë dhe kurbinasit presin të bëjnë diferencën në Lushnje
Laçi kërkon të marrë maksimumin në Lushnje përballë vendasve, në një ndeshje që ka marrë vlerësimin maksimal gjatë seancave stërvitore të kësaj jave. Bardhezinjtë vijnë pas një barazimi në Krujë me Flamurtarin, ku shënoi golin e parë edhe sulmuesi Rexhinaldo. 28-vjeçari nga Mozambiku, tashmë që është zhbllokuar kërkon të mos ndalet më, ndaj do tentojë të gjejë rrugën e rrjetës edhe këtë herë, por dëshira më e madhe është që të marrin tre pikët. Stafi dhe drejtuesit i kanë sytë nga sulmuesi, që u afrua në verë për të mbajtur peshën e sulmuesit. Fizikisht Rexhinaldo gëzon një formë të mirë, ndërkohë që në ndeshjen me Flamurtarin ai luftoi fort dhe ishte shumë aktiv. Sot ai do tentojë të udhëheqë skuadrën në sulm dhe të realizojë sërish, ndërkohë që do të ketë nga krahët edhe mbështetjen e Nikës dhe Uzunit, që ende nuk kanë shënuar gol këtë sezon në kampionat. Formë të mirë gëzon edhe braziliani Eskerda, i cili në ndeshjen me Flamurtarin ishte ndër më të mirët në fushë, duke iu afruar golit në pjesën e parë ndërkohë që edhe te penalltia krosimi i tij u ndal nga Bicaj me dorë. 27-vjeçari ka në dorë organizimin e manovrës sulmuese dhe pritet shumë edhe nga Eskerda. Për ndeshjen me Lushnjen trajneri Mezani nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Ademir Souza dhe mesfushorin Kejvi Bardhi, që të dy të dëmtuar.
SEANCA E FUNDIT – Dje kurbinasit janë stërvitur në Laç dhe seanca stërvitore ka qenë pak e ngarkuar fizikisht. Skuadra ka bërë disa lojëra me topin, ndërkohë që është punuar edhe me goditjet standarde, si një element mjaft i rëndësishëm nga edhe ku mund të vijë ndryshimi i ndeshjes. Trajneri Mezani ka këshilluar lojtarët e tij për mënyrën e vendosjes, si dhe ka dhënë detyra specifike për lojtarë të caktuar për goditjet e këndit, pro dhe kundër. Me përfundimin e seancës stërvitore ekipi është grumbulluar dhe 90 minuta para nisjes së takimit do të jetë në ambientet e stadiumit “Roza Haxhiu”.
Formacioni i mundshëm i Laçit (4-4-1-1)
Selmani
Fangaj Qaqi Gjoni Sefgjini
Nika Jonuzi Lushkja Uzuni
Eskerda
Rexhinaldo