Pas fitores së bujshme me Partizanin, kurbinasit shohin përpara, teksa trajneri Stavri Nica u gëzohet rikthimeve në skuadër
Kurbinasit dhuruan surprizën më të bukur të javës së parë. Të besuarit e Stavri Nicës triumfuan pastër 0-2 në fushën e Partizanit, duke sinjalizuar se ky sezon do të jetë ndryshe nga ai i vjetshmi dhe pretendimet do të jenë më të mëdha. Edhe pse është vetëm fillimi i kampionatit, bardhezinjtë treguan se gëzojnë një formë të mirë dhe janë një marsh më para se një pjesë e mirë e skuadrave të tjera të Superiores. Në horizont tashmë janë dy takime, që do të marrin fokusin maksimal të kurbinasve, të cilët do të shohin si në kupë, ashtu dhe në kampionat. Të mërkurën do të udhëtojnë drejt Kamzës për t’u përballur me Sopotin për turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Formati i kompeticionit të dytë për nga rëndësia në Shqipëri sjell një rrugë më të shkurtër drejt Europës dhe Laçi është një nga ato skuadra, që e di mirë këtë rrugë, pasi vitet e fundit ka triumfuar dy herë. Pas ndeshjes me Sopotin, vëmendja do të rikthehet në kampionat, ku kundërshtar do të jetë Luftëtari i Gjirokastrës. Normalisht, pas fitores me Partizanit, do të synohet i njëjti sukses, pasi në këtë ndeshje shpresohet të ketë disa rikthime të rëndësishme.
RIKTHIMET – Stafi teknik shpreson shumë që në ndeshjen e javës së dytë me Luftëtarin të ketë të gatshëm dy lojtarë kyçë, si sulmuesin Rexhinaldo dhe mbrojtësin Harallamb Qaqi. Rexhinaldo pritet të jetë në dispozicion të skuadrës për ndeshjen me ish-skuadrën e tij dhe me entuziazëm pritet debutimi nga tifozët laçianë, të cilët kanë shumë besim tek ai. Në krahun tjetër, Qaqi po ashtu qetëson trajnerin Nica, i cili do të kishte një problem më pak, pas mungesës së mbrojtësit Ademir, që doli me të kuqe në fund të ndeshjes me Partizanin. Qaqi do të pozicionohet në qendër të mbrojtjes, ndërsa në të djathtë do të spostohet Abdurraman Fangaj. Laçi duket se është rikthyer si pak sezone më parë, një “kockë e fortë”, që i hap punë çdo ekipi.