Kurbinasit kanë disa mungesa kundër Kamzës. Braziliani ende nuk ka kondicionin e duhur fizik
Fitoret radhazi të vitit të kaluar janë arkivuar. Vendi i tretë për t’u ruajtur do punë, ndaj edhe te Laçi po punohet intensivisht për të ruajtur ritmin. Lëvizjet në merkato nuk kanë qenë të shumta. Është afruar Ndriçim Shtubina lojtar me eksperiencë, ndërkohë që të tjerët janë futbollistë të rinj si Zogaj, Beqaj dhe Dragoi, apo edhe Lulaj i huazuar. Trajneri Mezani nuk do ta ketë të plotë grupin ndaj Kamzës, pasi janë disa futbollistët që mungojnë, por kjo nuk shërben si justifikim në kampin kurbinas. Bruno Lulaj nuk është i gatshëm për këtë takim pasi ka ardhur i dëmtuar nga Skënderbeu, kurse Regi Lushkja u dëmtua në fazë dhe nuk ia ka dalë të rikuperohet në kohë, edhe pse shpresohet. Një tjetër futbollist që mbetet jashtë për këtë takim është braziliani Maikon Eskerda. Mesfushori 27-vjeçar e ka lënë pas dëmtimin e pësuar në ndeshjen me Vllazninë në fillim të dhjetori. Ai është stërvitur rregullisht me pjesën tjetër të grupit, por gjatë fazës përgatitore nuk e ka marrë ngarkesën të plotë dhe ende nuk ka kondicionin e duhur për të luajtur nga minuta e parë, madje as do të grumbullohet për këtë takim. Stafi teknik pas konsultimit me stafin mjekësor ka vendosur që të mos rrezikohet me të, pasi është një lojtar i rëndësishëm i ekipit. Në grumbullim me Kombëtaren U20 edhe i riu Dragoi, i cili ndodhet në Turqi dhe nuk do të jetë për këtë ndeshje, ndërkohë që edhe Prodani e Bushi kanë pasur probleme dëmtimesh gjatë kësaj periudhe. Vladimir Prenga