E mbani mend Ibrahim Ba? Në vitin 1997 kaloi nga Bordoja te Milani dhe tifozët kuqezinj u dashuruan me të, edhe pse më shumë me kokën e tij të lyer bionde dhe me shpejtësinë e tij, sesa me rezultatet, sepse Ba nuk u bë asnjëherë një yll te Milani.
Gjithsesi, ish-mesfushori francez mbetet një personalitet i së shkuarës së lavdishme kuqezi dhe Gazzetta dello Sport i ka marrë një intervistë, duke e pyetur edhe për momentin aktual të Milanit, me Ibu Ba që flet hapur.
“Milani ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës sime, e ndjek ende me pasion. Kur mbërrita, Fabio Kapelo më mësoi shumë nga pikëpamja taktike. Kisha nevojë. Në vitet në vazhdim ndërrova disa klube, por ngjyrat kuqezi më mbetën brenda”.
“Momenti aktual i Milanit më mbush me trishtim dhe me pak zemërim. E kuptoj dëshpërimin e tifozëve, e gjithë kjo situatë është administruar shumë keq. Megjithatë, sinjalet për ta kuptuar ishin dhënë që në fillim. Kur Li e bleu Milanin nga Berluskoni, kreu disa blerje që i bënë tifozët të ëndërronin me sy hapur, por tifozët duhej ta kuptonin se diçka nuk shkonte, kur një flamur kuqezi si Paolo Maldini refuzoi të bëhej pjesë e atij projekti. E akuzuan për arrogancë, nuk e meritonte, sepse koha i dha të drejtë, administrimi i Milanit nuk e bindte”.