“Ky Inter nuk lindi në Stamboll, kemi shkëlqyer edhe kundër Realit e Liverpulit”, frika e Inzagit: Atletikoja ka vetëm një humbje në shtëpi

Mbrëmjen e nesërme e gjithë vëmendja do të jetë te kryendeshja e kësaj faze të Ligës së Kampionëve. Atletikoja pret Interin në shtëpi për të përcaktuar ekipin që do të kualifikohet në çerekfinale të turneut më të lakmuar për klube. Simone Inzagi ka theksuar në konferencë për shtyp formën e shkëlqyer që kundërshtari ka në ndeshjet në shtëpi, çka e bën ndeshjen tejet të vështirë. Megjithatë, trajneri i zikaltërve vlerëson edhe skuadrën e tij, teksa thotë se ky Inter nuk lindi në finalen e vjetshme në Stamboll, por ka 3 vite që kalon grupet e Ligës së Kampionëve.

“A ka lindur ky Inter në Stamboll? Nuk jam dakord, shikoj rrugëtimin tre vjeçar, duke kaluar një grup të vështirë, duke luajtur ndeshje të shkëlqyera kundër Liverpulit dhe Realit. Në tre vitet e fundit ne kemi shkuar gjithmonë në fazën e 16-shes, gjë që nuk ishte diçka e mirëqenë në 10 vitet e mëparshme. Kundër Atletikos e dimë se do të jetë e ndërlikuar, sepse ata transformohen në shtëpi. Ne do të duhet ta interpretojmë sa më mirë që të mundemi me avantazhin minimal që kemi.

Për çfarë i ndruhem Atletikos? Në kampionat askush nuk ka bërë më mirë në shtëpi. Në 29 (ndeshje) të fundit kanë humbur vetëm një në shtëpi kundër Atletik Bilbaos dhe nuk do e meritonin. Të gjithë e dimë se çfarë është Atletikoja, kush është Simeone. Nuk do të spekulojmë për suksesin e ndeshjes së parë”, ka deklaruar Simone Inzagi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/