Pak ditë nda ndajnë nga sfida më e rëndësishme e Superiores. Tirana dhe Partizani kanë rikthyer “ethet” e derbit, që do të zërë vend të premten në “Air Albania“. Shpëtim Duro është një trajner që e njeh mirë këtë përballje, pasi në karrierën e tij nuk ka dalë asnjëherë i mposhtur nga ky duel. Trajneri i mirënjohur ka analizuar për emisionin “Sport News“ në “News 24“ këtë derbi, ku zbulon favoritin për të dalë triumfues nga fusha e lojës.
“Partizani-Tirana është një ndeshje që historikisht ka qenë në qendër të vëmendjes. Si para viteve 90 kur e kam shijuar si protagonsit, ashtu si pas viteve 90 kur e kam shijuar në rolin e trajnerit. Ndeshja është shumë e rëndësishme për ambientin, trajnerin, tifozët e Partizanit dhe Tiranës. Është e rëndësishme për vazhdimësisë së kampionatit për të dyja skuadrët. Për trajnerët ka patur momente që ka qenë një pikë kthesë, siç ndodhi vjet me Tiranën. Ishte në një situatë jashtëzakonisht të turbullt, por ajo fitore ndaj Partizanit bëri që të kishte një ecuri pozitive. Ka pasur raste që pas ndeshjeve derbi janë shkarkuar trajnerë. Janë të gjithë këta faktorë që e bëjnë të rëndësishëm nëj derbi. Pa lënë pa përmendur edhe rivalitetin mes tifozëve të Tiranës dhe Partizanit.
Unë e shikoj këtë derbi pak a shumë si një vit më parë. Partizani ishte në vend të dytë dhe Tirana ishte në një situatë jashtëzakonisht të keqe. Ishte ajo fitore 2-1 në momentin e fundit që ktheu ecurinë e Tiranës, që u shpall edhe kampion. Partizani humbi edhe derbin e dytë dhe filluan problemet. Patjetër që ishte një ndikim psikologjik te Partizanik, pasi kishte 6 vite që nuk humbte asnjë derbi. Ka filluar që në vitin e parë kur isha unë, në 2014-2015, që filloi pathyeshmëria në derbi e Partizanit me Tiranën, që zgjati më shumë se 6 vite.
Unë e kam thënë edhe para fillimit të kampionatit. Unë çuditem sepse Partizani nga sezoni i kaluar është po ajo skuadër. Ndër skuadrat më të kushtueshme ishte sezonin e kaluar. Ka shumë futbollistë në të gjitha repartet. Ka pak mangësi në mbrojtje, por futbollistët janë ata që kanë shpallur kampion Partizanin. Pra e ka skuadrën në raport me Tiranën që ka shumë ndryshime. Në këtë aspekt kam thënë që Partizani do jetë pretendent për të fituar titullin, sepse ka një grup që prej 2 vitesh luajnë së bashku.
Kur ndërrohet trajneri ka momente që shkon mirë, ka momente që shkon keq. Është thikë me dy presa. Fillimi i sezonit për Tiranën ishte shumë i dobët. Goditja më e madhe ishte eliminimi në Kupë nga Korabi. Jam i mendimit që edhe sikur të vazhdonte punën Egbo, me këto ndryshime dhe me këto mungesa do e kishte të vështirë, ashtu siç ka vështirësi edhe trajneri i emëruar më vonë, Nevil Dede. Por nëse kjo ndeshje del pozitivisht për Tiranën, ka ndikimet e veta pozitive për ecurinë e skuadrës.
Pikat e forta, moralisht Partizani është më mirë. Duke pasur parasysh rezultatet e fundit, është në një pozicion komod. Është skuadër që ka provuar disa herë derbi, edhe sezonin e kaluar. Kurse Tirana ka disavantazh, sepse ka shumë futbollistë. Kam parasysh këtu lojtarët maqedonas, lojtarët afrikanë, që është hera e parë që debutojnë në një derbi. Por derbi ndonjëherë i minimizon këta faktorë dhe varet si interpretohet në fushën e lojës“, ka deklaruar Shpëtim Duro./Halit Delibashi-Sport Ekspres/