Futbolli modern ka treguar se asgjë nuk është e pamundur dhe diferencat mes ekipeve janë shumë të vogla. Këtë e dëshmoi edhe ndeshja e sotme në Kupën e Spanjës mes Intercity dhe Barcelonës. Nëse ekipi i madh lëshon sadopak pe në angazhim, është vetëm një hap larg turpërimit të historisë. Tre herë kaloi në avantazh ekipi i Xavit, tre herë do të barazohej nga Intercity. Kjo skuadër kushton në total vetëm 4.60 milionë euro me vlerën e lojtarëve sipas Transfermarkt, një shifër thuajse identike sa Tirana apo Partizani.
Megjithatë arritën që ta mbyllnin me shifrat 3-3 në 90 minuta loje dhe u ndëshkuan në minutat shtesë nga goli i Ansu Fatit. Vërtet interesant ishte edhe fakti sesi sulmonte Intercity kur ishte në disavantazh dhe kishte ende minuta loje përpara, ku shpeshherë të krijonte përshtypjen si të ishte Barcelona. Intercity ndodhej në prag të rënies nga Kategoria e Tretë e Spanjë dhe mund të arrinte një kualifikim historik në Kupë. /Sport Ekspres/