Klima nuk është aspak e qetë te Lacio sa i përket Thomas Strakoshës. Portieri shqiptar ishte jashtë Italisë këto kohë për të bërë terapinë e rehabilitimit dhe prej andej do të jepte një deklaratë që ka tërbuar kryeqytetasit: “Unë jam i hapur për eksperienca të reja. Dortmundi? E kush nuk e pëlqen këto skuadër?”.
Kaq ka mjaftuar që zemërimi te Lacio të dyfishohej për Strakoshën, pasi futbollisti është ende nën kontratë me ta dhe është dukshëm një mungesë respekti. Këto fjalë cilësohen të tepërta dhe në mediat italiane raportohet se Igli Tare është duke e pritur për të bërë një përballje “ballë për ballë” në ditët e ardhshme.
Atje do të sqarohet përfundimisht edhe e ardhmja e gardianit shqiptar. Njëkohësisht te Lacio janë duke menduar për t’i afruar edhe një rinovim, ku më tepër sesa bazimi i projektit në duart e Strakoshës ekziston frika se portieri mund të largohet me parametra zero. Por nga krahu tjetër Tares i duhet shumë punë për të bindur gardianin e Shqipërisë, pasi nuk është aspak i kënaqur me klubin. /Sport Ekspres/