Presidenti i Mançester Sitit, Sheikh Mansour, paguan çdo vit 250 milionë paundë rroga lojtarësh, por shpenzon dhe shifra të çmendura në çdo merkato
Mançester Siti është një nga klubet më të pasura në botë. Po nga vijnë gjithë këto para? Presidenti i “Citizens”, Sheiku Mansur, është personi më i pasur në Arabinë e Bashkuar dhe pasuria e tij kap shumën e 38 bilion dollarëve. Ky i fundit, mori presidencën e Mançester Sitit, Nju Jork Sitit dhe Melbourn Sitit në vitin 2009. Të tre këto ekipe i kushtuan sheikut arab plot 265 milionë paundë. Gjatë këtyre tetë viteve si president i Mançester Sitit, ai ka shpenzuar para të panumërta për të bërë ekipin e tij skuadrën më të mirë në Premier Ligë.
Gjatë presidencës së Mansur, Siti ka fituar dy herë Premier Ligën, por Mansour kërkon sukses edhe në Ligën e Kampionëve. Për këtë arsye, ai nënshkroi vjet me trajnerin spanjoll, Pep Guardiola. Sezoni i parë i teknikut spanjoll nuk ishte i suksesshëm, por në këtë sezon, Siti duket i pandalshëm. “Qytetarët” udhëheqin Premier Ligën me një distancë të konsiderueshme, plot 13 pikë më shumë se rivalët e Mançester Junajtid, të cilët mbajnë vendin e dytë. Guardiola pritet të bëjë mirë edhe në Ligën e Kampionëve këtë sezon dhe shihet si një nga skuadrat pretendente për fitimin e këtij kompeticioni. Pavarësisht sezonit fantastik që skuadra e tij po bën, Mansour nuk preferon të ndalojë dhe i ka premtuar Guardiolës një buxhet të majmë për merkaton e janarit.