Tirana ka humbur me rezultatin 1-0 sfidën e parë kundër Dudelange-t. Një ndeshje kjo që ishte larg nivelit të kërkuar në Champions League. E këtu nuk bëhet fjalë për atë çfarë lojtarët dhanë në fushën e blertë, por në aspektin e infrastrukturës dhe transmetimit të ndeshjes. Stadiumi kishte një kapacitet prej maksimalisht 2558 vendesh, e për më tepër fusha nuk përmbushte as përpasat normale. 9 metra më vogël në gjatësi dhe 6 metra më e vogël në gjerësi se sa një fushë normale futbolli.
Ndërkohë për të dëshiruar la edhe transmetimi i ndeshjes. Regjia luksemburgase tregoi një nivel amator, teksa asnjë rast i rrezikshëm, apo edhe vetë goli nuk u shfaq në përsëritje. “Kush e pa, e pa”, është shprehja që ndoshta i shkon më për shtat strategjisë së përdorur nga regjia nga Luksemburgu. Një nivel aspak në lartësinë e duhur, që detyroi disa herë edhe komentatorin e “Oversport”, Alban Xhihanin, të kërkonte ndjesë për shkak se shikuesit nuk kishin mundësi të ndiqnin të përsëritura çastet kyçe të sfidës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/