Edicioni i gjashtë i kursit për video-analistë futbolli ndodhet në periudhën e dytë, teksa po zhvillohet në ambientet e stadiumit “Air Albania”. Kursi drejtohet nga përgjegjësi i video-analizës në FSHF, Alarico Rossi, ndërsa në leksionin e fundit ishin të ftuar përfaqësues të klubeve të Egnatias dhe Vllaznisë.
Të ftuarit ndanë me pjesëmarrësit eksperiencën e tyre në kampionatin “Abissnet Superiore”, teksa video-analistët e të dy klubeve, Revion Mekshi dhe Endri Mani folën për rëndësinë që teknologjia ka sot në botën e futbollit, duke shpjeguar se profesioni i video-analistit është shumë i rëndësishëm edhe në vendin tonë.
Leksioni ishte shumë interesant sepse për herë të parë në këtë kurs, stafet teknike të dy klubeve shqiptare prezantuan punën e tyre dhe përgatitjen para ndeshjes.
Klubet e “Abissnet Superiore” po punojnë në mënyrë profesionale për të arritur rrezultatet më të mira të mundshme dhe për kursantët ishte një mundësi e mirë për të kuptuar rëndësinë që ka një video-analisti në klub.
Në këtë edicion të gjashtë pjesë e kursit si lektorë janë edhe video-analistët e ekipeve Kombëtare të moshave, Endi Çuçi, Xhoen Tugu, Klajdi Kenga dhe Martin Lulgjuraj, që e kanë nisur këtë profesion pas përfundimit të kursit në FSHF.