Një zvarritje e gjatë dhe në fund përgjigja e marrë është “jo“. Simone Inzagi ka shtyrë prej kohësh rinovimin e kontratës, i cili në fund do të arrijë, pasi trajneri Italian dhe Lacio kanë shtërnguar duart dhe në fund të sezonit do të ndajnë rrugët. Mediat italiane raportojnë se e ardhmja do të jetë stoli i Interit, ku do të zëvendësojë Antonio Konten. Marrëveshja është gjetur për një kontratë 2-vjeçare nga e cila do të arkëtojë 4 milionë euro plus një tjetër bonus.
Ndërkohë vetë presidenti Lotito përforcon më shumë zërat, teksa ka pranuar ndërprerjen e bashkëpunimit me Inzagin. Presidenti i Lacios është shprehur i zhgënjyer për mënyrën se si trajneri i tij vendosi ti zgjidhte gjërat, duke ndryshuar mendje brenda natës për të ardhmen e tij. Më tej Lotito thumbon edhe Interin, pasi thekson se i duhet të punojë për të gjetur kreun e ri të pankinës, sepse ndryshe nga të tjerët nuk ka kontaktuar trajnerë përpara kohe.
“Ne kaluam shtatë orë së bashku, gjetëm një marrëveshje, shtrënguam duart dhe kontrata ishte gati. Ai më tha se nuk kishte më stimuj, se nuk do të ishte në gjendje t’u jepte lojtarëve birrën e nevojshme. Kur dikush ju thotë kështu, si mund të mendoni ta mbani atë? Por ai nuk më tha mbrëmjen e kaluar, përndryshe unë sigurisht nuk do të kisha përgatitur marrëveshjen për t’u nënshkruar.
Unë kam qenë i zhgënjyer në një nivel personal, ai ndryshoi mendje brenda natës. Ne ende duhet të mendojmë për trajnerin sepse unë, ndryshe nga të tjerët, nuk kam kontaktuar kurrë me askënd, pasi kam menduar se nuk do të kisha ndryshuar. Por nuk ka mungesë të trajnerëve dhe lojtarëve, nëse diçka është e vështirë, ajo është të gjesh presidentë“, ka thënë Klaudio Lotito./Halit Delibashi-Sport Ekspres/