Kur Olainka dhe Berisha u shitën dy vite më parë me një vlerë transferimi në total diku te 1.5 milionë euro, të gjithë nxituan të thoshin që këto shifra ishin të ekzagjeruara për futbollin shqiptar dhe ato largime të bujshme ishin më së shumti produkt i faktit që Skënderbeu luajti në grupet e Europa Ligës. Në përgjithësi njerëzit kanë pak besim te futbolli në vend. Faktet tregojnë se kampionati meriton pak më shumë respekt. Kjo verë na bindi se tanimë Superiorja është një realitet në tregun ndërkombëtar të futbollit.
Partizani fatkeqësisht nuk përfitoi asnjë euro nga transferimi i Ekubanit në Lids, por duhet pranuar që Kievo duhet të falënderojë kampionatin shqiptar për ato 500 mijë sterlina që mori nga klubi anglez. Nëse nuk do ishte për çka ndodhi këtë vit në kampionat, Ekuban nuk do shitej aq shtrenjtë.
Mervejl Ndokit i Tiranës shkoi te Getafe për 400 mijë euro në favor të bardhebluve dhe 300 mijë euro në vit në favor të tij, ndërkohë që në Leganes pritet të shkojë dhe talenti bardheblu Elvi Berisha. Akuah është pranë shitjes, teksa tani dhe Latifi për pak do firmosë në Hungari, nga ku klubi do përfitojë 1 milionë euro. Diçka mund të përfitonte dhe Flamurtari nga largimi i kapitenit Telushi te Slaven Belupo.
Gjërat kanë filluar të ndryshojnë dhe kjo verë do mbahet mend për dy arsye të rëndësishme. Për herë të parë që nga viti 2001 asnjë skuadër shqiptare nuk është dyshuar për fiksime rezultatesh në dëm të kompanive të basteve dhe vlerat e transferimeve jashtë vendit po regjistrojnë rekorde të pamenduara më parë. Mund të jemi të vonuar në raport me rajonin, por më mirë vonë se kurrë.