Shqipëria dhe Mali i Zi janë vende shumë të ngjashme përsa i përket standardit të jetesës, por në futboll ka shumë ndryshime. Ekipet e Kategorisë Superiore kanë buxhete shumë më të mëdha se homologet e tyre në Mal të Zi. Ndër vite shumë malezezë kanë zbarkuar në Superiore të joshur nga pagat e larta që ofrohen paradoksalisht në Shqipëri.
Megjithatë, pavarësisht diferencave në shpenzime këtë vit kampionia e Malit të Zi Sutjeska e Nikshiçit, na dha një leksion. Shpenzimet vjetore të këtij ekipi nuk i kalojnë 500 mijë eurot, por kjo nuk i pengoi të eliminonin kampionët e Sllovakisë, Slovan Bratislava, kundërshtar ky me një buxhet të paktën 10-fish më të madh.
Pjesë e suksesit të Sutjeskës ishin dhe katër lojtarë që kanë pasur eksperienca në Shqipëri, më i famshmi prej tyre ish-mesfushori i Laçit dhe Partizanit, Marko Cetkoviç. Ish-mbrojtësi i Vllaznisë Stefan Cicmil ka qenë pjesë e rregullt e skuadrës në dy sezonet e shkuara ku Sutjeska fitoi titullin kampion, ndërsa ish-portieri i Tërbunit dhe Kastriotit, Vladen Giljen ishte heroi i mbrëmjes së djeshme duke pritur dy penallti.