“Kur nuk fiton kritikohesh”/ Sormani përgjigjet mbi pikëpyetjet për të ardhmen: Nuk humbas kohë, janë pjesë e punës

Partizani vazhdon të vuajë këtë sezon dhe është shumë larg suksesit të vitit të shkaur, ku ngritën lart trofeun e titullit kampion. Rezultatet zhgënjejnë dhe as Sormani nuk ka mundur të gjejë zgjidhjen e problemeve. Rikthimi erdhi në mënyrën më të keqe, duke humbur në shtëpi ndaj Skënderbeut dhe zërat se pozita e italianit në pankinën e të kuqve nisën të shtoheshin.

Në një intervistë për “Supersport” me gazetarin Glendi Tafaj, Adolfo Sormani ka folur mbi gjendjen e ekipit të tij. Tekniku Italian është i kënaqur me lojën e skuadrës, por të e njëjta gjë nuk mund të thuhet për rezultatet. Sipas tij problem është psikologjik, ndërsa për kritikat shprehet se thjesht janë pjesë e punës së një trajneri, ashtu si dhe p[ikëpyetjet mbi të ardhmen.

“Na kanë munguar rezultatet, kjo më duket e qartë, por nuk na ka munguar loja, megjithatë nuk mjafton, duhet bërë më shumë. Mendojmë që puna shpërblehet dhe kjo skuadër stërvitet me shumë dëshirë dhe lufton fort. Nuk kemi treguar asnjë mangësi as në aspektin fizik, as në pjesën teknike. Në ndeshjen e fundit patëm raste, krijuam shumë dhe jam i bindur që ky ekip është i aftë të shprehet shumë mirë në fushë. Nuk i kemi vuajtur kundërshtarët, kemi një problem që është psikologjik, në atë aspekt nuk kemi ekuilibra.

Kur je trajner, je në qendër të kritikave. Kur nuk fiton, do të kritkohesh, kjo është puna ime. Nuk dua të humbas kohë, kur më pyesin për futboll jam i gatshëm të përgjigjem pa kërkuar justifikime. Përgjigjem ashtu si unë e lexoj lojën dhe jo sepse ndihem i ofenduar nga kritikat.

E përsëris, kjo është pjesë e punës. Sigurisht që mund të jetë në dyshim e ardhmja, por, e ritheksoj, është pjesë e punës, kur dikush vendos të bëhet trajner, atëherë e kupton dhe këtë aspekt të punës“, ka thënë Sormani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *