Nedim Bajrami duket “i lindur” për të shkruar histori. Të jesh në vendin dhe kohën e duhur është padyshim aftësi, por pa harruar edhe pjesën e fatit. Kjo e dyta vlen më tepër për golin historik që realizoi Bajrami me Rangers në Europa League, kundër Malmo, atje ku iu deshën vetëm 55 sekonda për të tundur rrjetën. Ndërkohë në Koha Shtesë, ishte ftuar gazetari shqiptar që jeton në Danimarkë, Redian Ara.
Me flamurin e Shqipërisë të nxjerrë në stadiumin e Malmos, Ara pati edhe komunikime nga distanca me tifozët e Rangers që e përshëndesnin me shqiponjë, ndërsa pas ndeshjes, Bajrami shkoi për të përshëndetur shqiptarët që ishin në stadium për të, përfshirë edhe gazetarin shqiptar që jeton në Danimarkë. (Videon e plot të emisionit në Koha Shtesë e shihni më poshtë)
“Sa hyra në stadium, gjëja e parë që bëra ishte të nxirrja flamurin shqiptar nga xhepi dhe ia tregova tifozëve të Rangers. Ata e kuptuan menjëherë se isha për Bajramin aty. Ishte një skenë e bukur pasi shumë prej tyre pasi më panë filluan të bënin shqiponjën. Gjatë gjithë ndeshjes, herë njëri dhe herë tjetri, kishte shumë tifozë që më shikonin dhe bënin shqiponjën pasi unë isha ulur në krahun e tifozëve të Malmos, por isha shumë afër tifozëve të Rangers. Ishin shumë të kënaqur që kishte ardhur një tifoz i Bajramit në stadium nga Shqipëria. Ndërkohë Bajrami sa mbaroi ndeshja, takoi familjarët e tij dhe më pas shkoi tek të gjithë shqiptarët që kishin shkuar në stadium për të”, tha Ara. /Sport Ekspres/